-0.9 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajmeAnaliza e VOA: SHBA dhe BE presin përparim nga bisedimet mes Kosovës-Serbisë

Analiza e VOA: SHBA dhe BE presin përparim nga bisedimet mes Kosovës-Serbisë

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë do të qëndrojnë të hënën në Bruksel për t’i thënë po një marrëveshjeje të mbështetur nga Perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tashmë e kanë pranuar në parim një propozim evropian të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por përfshinë përkushtimin e palëve për të mos penguar njëra tjetrën në proceset integruese.

Mes frikës se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkan për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar thirrjet për marrëveshje dhe presin përparim në takimin e së hënës.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, bisedoi gjatë fundjavës në telefon me udhëheqësit e të dyja vendeve duke ritheksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin dhe pritjet që palët të kenë qasje konstruktive dhe të angazhohen për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Përshëndeta përkushtimin e vazhdueshëm të Serbisë për angazhim konstruktiv rreth propozimit të BE-së për sigurimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon”, shkroi zoti Chollet, i cili një ditë më herët bisedoi me kryeministrin Kurti.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, u kanë shkruar letra të përbashkëta kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, në prag të takimit, në të cilat thuhet mes tjerash se është urgjente të ecet përpara me synimin për ta përmbyllur marrëveshjen dhe për të siguruar zbatimin e saj.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se propozimi nuk do të negociohet dhe të hënën palët do të diskutojnë për zbatimin e planit i cili mbështetet nga të gjitha vendet anëtare të bllokut, përfshirë edhe ato që nuk e njohin Kosovën.

Një zyrtar i lartë evropian tha gjatë javës se pranimi i propozimit nënkupton edhe pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është çështja më e diskutueshme në marrëveshjet e deritashme. Ai tha se propozimi paraqet po ashtu “njohje de facto” të Kosovës nga Serbia. Diplomatët perëndimorë ua kanë bërë me dije të dyja palëve se refuzimi i propozimit nënkupton përballje me sanksione.

Nuk pritet ndonjë nënshkrim të hënën dhe nëse palët pajtohen për aneksin e propozimit që ka të bëjë me zbatimin, atëherë një ceremoni nënshkrimi mund të ndodhë më vonë gjatë muajit mars në praninë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Të dy udhëheqësit shkojnë në Bruksel mes kritikave në shtëpi. Një pjesë e opozitës në Serbi pohon se propozimi nënkupton njohje të Kosovës duke e akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç për dështim në proces, i cili ndërkaq ka theksuar se mosnjohja e Kosovës dhe mospajtimi me anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara janë çështje të padiskutueshme për Beogradin.

Në Kosovë një pjesë e opozitës tha se ka shumë paqartësi që lidhen me takimin e së hënës dhe propozimi nuk siguron marrëveshjeve përfundimtare por krijim të një “status-quoje” të re.

Kryeministri Kurti tha gjatë javës se “aleatët e Kosovës e kanë hartuar propozimin si një paketë që do të çojë përpara anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe që përfshin gjithashtu njohjen de facto (nga Serbia), e gjithë kjo bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

Kosova tashmë ka hyrë në vitin e 16 të pavarësisë që u shpall me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore evropiane, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia, e cila nuk i sheh me sy të mirë integrimet euroatlantike të vendeve të Ballkanit, përfshirë marrëveshjen Kosovë –Serbi, që është kusht për përparimin e palëve në proceset integruese./VOA/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments