Rritja më e shpejtë ekonomike, standardi më i mirë i jetesës, produktiviteti më i lartë i punës, klima më e mirë e biznesit dhe zhvillimi strukturor i sektorit privat, progresi në demokracinë institucionale dhe qeverisja e mirë, janë disa nga përfitimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kështu thotë ministri i Financave, Fatmir Besimi, sipas të cilit, duhet punuar në vazhdimësi për krijimin e modelit të suksesshëm ekonomik, bazuar në investime, inovacione, kapital njerëzor, infrastrukturë dhe teknologji të reja, i cili do të krijojë vende të reja pune, rritje më të shpejtë, më inkluzive dhe të qëndrueshme, tranzicion të gjelbër dhe cilësi më të mirë të jetesës për qytetarët, gjegjësisht model ekonomik, që do ta sjellë Evropën në shtëpi.
“Para së gjithash, anëtarësimi në BE, do të thotë hyrje në një treg prej mbi gjysmë miliardë konsumatorësh. Fuqia ekonomike e BE-së reflektohet edhe në tregtinë dhe investimet e huaja direkte, me 16% të tregtisë së përgjithshme globale. Integrimi i Maqedonisë në BE nënkupton hyrje në një treg 25 herë më të madh, me standard të jetesës përafërsisht pesë herë më të madh krahasuar në mënyrë nominale sipas PBB-së për banor (me ç’rast PBB-ja reale për banorë të ekonomisë sonë është rreth 40% nga PBB-ja e BE-së sipas Eurostat), si dhe me shkallë dukshëm më të ulët të papunësisë”, theksoi Besimi.
Ai shtoi se sipas studimeve, të cilat i referohen përfitimeve të tregut të vetëm të BE-së, vlerësimet janë se produkti i brendshëm bruto i BE-së do të ishte 9% më i ulët nëse nuk do të kishte integrim të plotë të tregut, që do të thotë mesatarisht rreth 840 euro më pak të hyra vjetore për banor. “Sa i përket këtij këndvështrimi, çdo vend anëtar është më mirë në BE se jashtë saj, gjë që tregon se BE-ja krijon vlera të reja, respektivisht vlerë të shtuar me eksternalitete pozitive”, shprehet ministri i Financave, ndërsa thekson rëndësinë e procesit integrues për financat publike në drejtim të reformave për përmirësimin e sistemit të financave publike, si dhe qasjen në një sërë fondesh evropiane.