Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i shoqëruar nga deputetët Artina Qazimi dhe Elmi Haziri, ka qëndruar në Prishtinë me ç’rast ka realizuar takim me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Bashkëpunimi i ndërsjellë, gjendja aktuale politike, zhvillimet në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, kanë qenë në fokusin e diskutimeve, njoftojnë nga ASh.
“Në takim diskutuam edhe për situatën në veriun e Kosovës të cilën e kemi ndjekur me shqetësim dhe kemi folur zëshëm për dënimin e strukturave destabilizuese atje. Përgëzova autoritetet e Kosovës për dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke shprehur besimin se BE do të jetë në nivel të sfidës së jashtëzakonshme që i kanoset paqes, sigurisë dhe vlerave tona të përbashkëta, duke u përkushtuar për bashkimin përfundimtar të kontinentit tonë.”, ka theksuar Taravari në takimin me Osmanin, thuhet në njoftimin e ASh-së.
Ngjarjet në veriun e Kosovës dhe zhvillimet politike kanë qenë në fokusin edhe të bisedimeve në takimin me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Dy bashkëbiseduesit kanë folur edhe për projektet e përbashkëta mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat janë inicuar nga Prishtina dhe janë nënshkruar mes dy palëve, thonë nga ASh. Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë Taravari më herët ka takuar edhe liderin e PDK-së Memli Krasniqi dhe të LDK-së Lumir Abdixhiku. Pas vizitës në Prishtinë Taravari ka udhëtuar për në Tiranë në takim me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në kuadër të darkës që ka organizuar ai me partitë politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut.