Në seancën e radhës të këshillit të komunës së Tetovës, pritet që të vendoset se ku do të caktohet lokacioni për hedhjen e mbeturinave inerte. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, i pyetur lidhur me paralajmërimet e mëparshme për një lokacion të mundshëm në rajonin e komunës së Bogovinës. Por, Kasami është shprehur se ai lokacion në Bogovinë, ka leje për hedhjen e mbeturinave inerte, ndërsa komuna e Tetovës zgjidhjen do ta kërkojë brenda territorit të saj.
“Për momentin jashtë Rusinos nuk kemi lokacion për mbeturinat inerte, punohet në atë drejtim dhe në mbledhjen e radhës të këshillit do të prezantohet edhe propozimi i lokacionit ku do të mund të grumbullohen dhe dërgohen këto mbeturina. Për momentin lokacioni i vetëm që ka leje për mbeturinat inerte është në komunën e Bogovinës dhe sigurisht deponia rajonale në Rusino. Propozim tjetër do të jetë në kuadër të komunës së Tetovës”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Nga ana tjetër, lidhur me këtë problematikë është pyetur edhe Ministri i Planifikimit Hapësinor dhe Ambientit Jetësor, Naser Nuredini. Ai është shprehur se qeveria do të përkrah në këtë drejtim investimet private, pasi që riciklimi i mbeturinave inerte në Evropë u është lënë në dorë investuesve privat. Nuredini ka thënë se riciklimi i mbeturinave inerte duhet të zhvillohet në të ardhmen më shumë në vendin tonë.
“Ideja është ne të përkrahim edhe sektorin privat se ka leverdi dhe se investitorët privat duhet të investojmë në trajtimin e mbetjeve inerte. Kur flasim për mbetje inerte flasim për mbetjet nga ndërtimet, aty brenda ka ciment, ka edhe hekur dhe trajtimi i tyre është një procedurë që bëhet në tërë Evropën. Por, tash shteti nuk bën investime në ato instalime por ne mendojmë që të përkrahim sektorin privat që të bëjë investime që të zhvillohet edhe një riciklim i mbetjeve inerte në shtetin tonë”, deklaroi ministri, Naser Nuredini.
Iniciativa të këtilla ka pasur edhe më herët nëpër disa komuna tjera, që mbeturinat inerte të riciklohen, por deri më tani nuk ka asnjë lëvizje konkrete. Dhe derisa nuk ka një zgjidhje për riciklimin e këtyre mbeturinave, nëpër shumë komuna rurale këta mbeturina hidhen përgjatë rrugëve rajonale. Vështirësi në këtë drejtim ka në komunën e Zhelinës, Jegunocit dhe Tearcës. /koha/