Vullnetarët e hapësirës socio-kulturore Tetovë sot në mëngjes kanë kërkuar takim me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, me qëllim që, siç theksojnë, të gjendet një zgjidhje për situatën pas lëshimit të njoftimit për largim nga Hapësira dhe memorandumi i bashkëpunimit.
“Nuk jemi gati të largohemi nga hapësira. Me vite kemi investuar jo vetëm financiarisht, por edhe vullnetarisht me përpjekjet tona për ta bërë këtë hapësirë të hapur për të gjithë”, theksojnë nga “Hapësira socio-kulturore Tetovë”.
Nga aty theksojnë nevojën për t’i gjetur zgjidhje problemit dhe për të vazhduar punën si më parë.
Ekipi i vullnetarëve bën të ditur se kanë kontaktuar me e-mail kryebashkiakun Kasami, me shpresën që siç thonë ata të ulen dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët.
“Ne nuk jemi shoqatë, siç na ka quajtur kryetari Kasami, jemi vullnetarë që menaxhojmë një hapësirë komunitare për të gjithë qytetarët. Të gjitha organizatat dhe individët e shfrytëzojnë hapësirën që ne ruajmë dhe menaxhojmë vetë dhe duam që ajo të vazhdojë”, theksojnë ata.
Javën e kaluar, pasi Komuna e Tetovës kërkoi lirimin e hapësirës, ekipi iu drejtua publikut duke kërkuar mbështetje për të ruajtur hapësirën që, siç thonë ata, e kanë rigjallëruar veten dhe e kanë shfrytëzuar për katër vite.