Bashkimi Evropian do të ndihmojë Shqipërinë për të përballuar krizën energjetike.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Tiranë, tha se përgjigja ndaj kësaj situate do të jetë shumë më e gjerë sesa thjesht një mbështetje buxhetore. Ajo foli për solidaritet mes BE-së dhe Ballkanit përballë kësaj krize.
“Mbështetja do të jetë 80 milionë euro në grante. Ju keni një sistem që është i mirë për të ndihmuar familjet dhe bizneset e vogla. Pjesa e dytë ka të bëjë jo me mbështetjen e menjëhershme por pas janarit, për sistemin e energjisë, 500 milionë euro në grante për të investuar në strukturën energjetike të rajonit”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen.
Kryeministri Rama falënderoi Bashkimin Evropian për ndihmën, por duket se e vlerësoi të pamjaftueshme.
“Nuk na mjaftojnë ato 80 milionë euro, por megjithatë janë një ndihmë e rëndësishme dhe ne jemi falënderues. Sa pjesë e nevojës janë për të mbrojtur çmimin e konsumatorëve? Janë 1/6. Nëse i referohemi këtij viti, na është dashur në total 460 milionë euro energji. Është një shumë marramendëse, por që ka ndihmuar për inflacionin. Shqipëria ka inflacionin më të ulët në rajon, dhe një nga arsyet është fakti që kemi një mburojë financiare për çmimin e energjisë”, theksoi kryeministri Rama.
Kryeministri shqiptar tha më tej se nuk do të rritet çmimi i energjisë, ndërsa propozimin për vendosjen e fashës prej 800 kilovat, nuk e konsideroi rritje, por vendosje e një tavani të arsyeshëm, që prek sipas tij vetëm 60 mijë familje.
Ai shtoi se shembulli i Kosovës që po aplikon fashën prej 800 kilovat tregon sa e vlefshme është dhe sa do të ndihmojë në kursimin e energjisë elektrike.
Aktualisht Shqipëria nuk aplikon pagesën e energjisë me fasha. Edhe pse qeveria e propozoi fashën 800 kilovat për muajin tetor, më pas u tërhoq duke deklaruar se reshjet e shiut e përmirësuan situatën energjetike.
Kryeministri Edi Rama foli edhe për një tjetër investim me rëndësi, për gazsjellësin adriatiko-jonian, një investim i përbashkët i Azerbajxhanit, BE-së dhe vendeve të rajonit të Ballkanit. Rama shpjegoi se ky investim që do të lidhë gazsjellësin transatlantik me Malin e Zi dhe Kroacinë, që sipas kryeministrit shqiptar, do të jetë vlerë e shtuar për Shqipërinë.
BE-ja dakord me “taksën e jashtëzakonshme” për prodhuesit e mëdhenj të energjisë
Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri shqiptar Edi Rama foli edhe për “taksën e jashtëzakonshme, mbi prodhuesit e mëdhenj të energjisë”.
Këtë propozim, ai e ka artikuluar disa ditë më parë, ndërsa të enjten, krah presidentes së Komisionit Evropian e bëri të qartë se nisma do të zbatohet.
Do të vendosim taksën e jashtëzakonshme për tre prodhuesit e mëdhenj të energjisë, jo për të gjithë HEC-et. Nuk kam asgjë kundër tyre, por nuk mund të nxjerrin fitime marramendëse se ju ra fati. Ne do t’u vendosim taksë të jashtëzakonshme, dhe me ato të ardhura do të mbështesim familjet në nevojë, me rimbursimin e energjisë”, tha Rama.
Nisma ka përkrahjen e Bashkimit Evropian, gjë që u bë e qartë nga presidentja e Komisionit Evropian.
“Edhe Komisioni Evropian ka ndërmarrë hapa ndaj këtyre kompani, që kanë super të ardhura. Ne kemi marrë pjesë të fitimit të tyre për t’ua kaluar shteteve anëtare që të mbështesin familjet dhe bizneset në nevojë”, tha Von der Leyen.
Pritshmërinë për samitin BE-Ballkan në Tiranë më 6 dhjetor
Në konferencën e përbashkët iu kushtua vëmendje edhe samitit të 6 dhjetorit që do të zhvillohet në Tiranë mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Presidentja e Komisionit Evropian tha se në qendër të diskutimeve të samitit do të jetë lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj.
“Do të diskutojmë situatën gjeopolitike dhe se si do të mbështesim më tej Ukrainën. Mendoj se edhe energjia do të ketë një vend të veçantë në këtë samit, por edhe infrastruktura dhe se si do të vijojmë ta trajtojmë krizën”, deklaroi Von der Leyen.
Ndërsa kryeministri Rama tha se çdo ditë e më shumë shihet një sinergji pozitive mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
“Mezi pres të zbresin në Tiranë gjithë udhëheqësit e BE-së, se këta të Ballkanit kanë ardhur shpesh. Të diskutojmë çfarë duhet të bëjmë bashkërisht. Edhe pse nuk jemi në BE, ata e kanë kuptuar se edhe ne jemi evropianë dhe fatet në gjërat e mëdha i kemi të përbashkëta. Kemi përparime historike në raportin mes rajonit dhe BE, dhe Shqipëria ka një rol të dorës së parë”-tha Rama.
Mbajtja e këtij samiti u njoftua pak ditë më parë nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili theksoi se Ballkani Perëndimor është prioritet kyç i Bashkimit Evropian./REL