Në Kosovë është shprehur drojë se situata e sigurisë mund të përshkallëzojë kur në fund të muajit të skadojë afati për konvertimin e targave ilegale serbe në RKS. Megjithëkëtë, njohës të sigurisë thonë se Qeveria nuk duhet të tërhiqet nga vendimi për targat. E, në NATO shprehin gatishmëri për intervenim, në rast se tensionet rriten në veriun e banuar me serbë.
Ekspertë të sigurisë dhe përfaqësues ushtarakë nuk e përjashtojnë mundësinë që situata e sigurisë të përkeqësohet në veri, pas përfundimit të afatit dymujor, brenda të cilit duhet të bëhet konvertimi i targave ilegale serbe në ato RKS.
Ish-Komandanti i Forcës së Sigurisë, Kadri Kastrati, kërkon nga institucionet që të jenë vigjilente në mënyrë që përshkallëzimi eventual të evitohet.
“Unë e shoh se nëntori nuk do të jetë bash i qetë. Paralajmërime ka të ndryshme, sepse të them edhe njëherë se edhe Serbisë, por edhe Rusisë i konvenon që veriu i Kosovës posaçërisht, por edhe Kosova në përgjithësi, por edhe Bosnja e Maqedonia të mos të jenë vende të sigurta dhe unë frikohem se mund të eskalojë situata, mund të ketë protesta, mund të ketë edhe ndoshta keqësim të situatës së sigurisë dhe nga këtu unë ftoj edhe organet e sigurisë, edhe Qeverinë që të jenë më vigjilentë, më sy hapur se frikohem se nuk do të jetë bash qetë qysh jemi sot”, ka thënë ai.
Policia e Kosovës është reagues i parë. Por, në këtë institucion nuk treguan për kapacitete që kanë dhe për veprimet që janë duke u ndërmarrë për të ofruar siguri në veriun e banuar me serbë.
E, NATO-ja ka shtuar prezencën në këtë pjesë, me t’u shtuar sulmet e armatosura dhe tensionet.
Aleanca më e madhe ushtarake ka bërë të ditur se në rast nevoje, KFOR-i do të intervenojë, por njëkohësisht është bërë thirrje për maturi.
“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja ka një prani të dukshme dhe të shkathët në të gjithë Kosovën dhe është i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i monitoron nga afër situatën në vijën kufitare administrative dhe është në gjendje të reagojë me shpejtësi ndaj çdo sfide të sigurisë, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së. Është thelbësore që të gjitha palët t’i shmangin veprimet dhe iniciativat e njëanshme që mund të çojnë në përshkallëzim ose dhunë të panevojshme. KFOR-i mbetet i paanshëm dhe vazhdon të ofrojë kornizën e sigurisë në të cilën dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të ecë përpara”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.
Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila ka mandat ushtrie, është e kufizuar në veprim. Autoritetet e Kosovës i janë zotuar NATO-s se nuk do ta çojnë në veri këtë forcë, pa marrë miratimin e KFOR-it.
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, e ndërlidhi situatën e sigurisë në veri, me raportet e ngushta që ka Serbia dhe Rusia. Ai tha se veprimet që mund të ndërmerren do të jenë të koordinuara.
“Siç e dini, pozicioni i Republikës së Kosovës, prezantuar nga autoritete më të larta shtetërore, ka qenë shumë i qartë në relacion me agresionin rus mbi Ukrainën. Ne e kemi dënuar ashpër këtë akt, si dhe jemi fuqishëm të përkushtuar për të dhënë kontributin tonë në kuadër të grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës, grup prej mbi 50 vendesh demokratike, ky që udhëhiqet nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Prandaj edhe në tensionet e mundshme që rrjedhin nga raportet Rusi-Ukrainë e ato Rusi-Serbi, në aspektin e sigurisë, jemi në frontin e vendeve demokratike dhe të angazhuar maksimalisht që t’i realizojmë përgjegjësitë tona kushtetuese dhe ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet tjera të sigurisë, vendet tona aleate, KFOR-in dhe EULEX-in. Republika e Kosovës dhe institucionet e saj në kuadër të kapaciteteve që disponojmë jemi të obliguar ligjërisht që t’i realizojmë detyrat që na takojnë, gjithnjë në bashkëpunim, koordinim dhe sinkronizim me partnerët tanë me në krye SHBA-në”, ka thënë Syla.
Rrezikun e rikthimit të tensioneve në veri e ka parashikuar edhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së, në raportin e këtij muaji. Shmangia e tyre synohet të bëhet nëpërmjet dialogut të nivelit të lartë Kosovë-Serbi, një takim në kuadër të të cilit synohet të organizohet këtë muaj.