7.1 C
Tetovo
E premte, 29 Nëntor, 2024
BallinaLajme8 vite nga gurthemeli, nuk i shihet fundi punimeve në Teatrin dhe...

8 vite nga gurthemeli, nuk i shihet fundi punimeve në Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës

Filloi të ndërtohet në vitin 2014 ndërsa tetovarëve iu premtua se në vitin 2017 do të kishin një godinë të re të Teatrit dhe Bibliotekës. Projektit që planifikohej të përfundonte brenda 3 vitesh nuk i shihet fundi edhe pse në nëntor mbushen 8 vjet nga fillimi i punimeve, shkruan Alsat.

Problemet filluan që në fazën e parë të realizimit të këtij projekti, fillimisht me shkurtimin e objektit për një kat dhe një pjesë shtesë, që më pastaj të vazhdojnë edhe me vonesat në pagesa, por edhe në parregullsi të tjera që e shoqëruan ndërtimin e këtij objekti dhe që vazhdojnë ta shoqërojnë edhe sot e kësaj dite.

Përderisa thuhej që faza e dytë dhe e fundit e ndërtimit të objektit do të jetë ky vit, drejtuesit e projektit tani thonë se objekti do të jetë gati në fund të vitit 2025, por nëse gjithçka shkon sipas planit.

“Realisht shkurtim të buxhetit nuk kemi dhe kështu si ka filluar puna në Teatër në fazën e dytë, dhe siç shkojnë punimet, pres që viti 2025 pra fundi i 2025, sipas kontratës, të përfundojë Teatri i ri pra të kemi një godinë super moderne siç e meritojnë tetovarët”, tha Arlind Huseini, Drejtues i projektit.

Përveç vonesave për fillimin e fazës së dytë, projekti një periudhë ishte edhe objekt i hetimit nga Policia Financiare, por ky institucion nuk zbardhi se çfarë u konstatua nga hetimi.

Vonesat prej rreth një dekadë në ndërtimin e objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, rëndon punët e Bibliotekës së Tetovës, e cila ngulfatet në një hapësirë tejet të ngushtë dhe pa asnjë kusht minimal për të funksionuar.

“Nuk gjendet hapësirë që të na dalin në ndihmë neve si bibliotekë sepse pallati kaq hapësirë ka. Hapësirë na thonë që do ketë kur do ndërtohet objekti i ri dhe e mbanë këtë si alibi, ndërkohë që të them të drejtën këtu nuk janë kushtet as pesë për qind  për të funksionuar si bibliotekë dhe depo për mirëmbajtje të librave”, u shpreh Mahi Murtezani, Biblioteka e Tetovës.

Problemin e njëjtë e kanë edhe aktorët e Teatrit të Tetovës. Provat i realizojnë në kushte të këqija, në salla të improvizuara dhe mungesë të kushteve të nevojshme.

Gur themeli i godinës Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, u vendos në 28 nëntor të vitit 2014. / Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments