Për 6 muaj deri 1 vit ka gjasa të ndërtohen 600 vende parkimi në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, njoftoi ministri i shëndetësisë Arben Taravari. Kompania “Gjoka Construction” nga Shqipëria, sipas ministrit, ishte e vetmja që aplikoi në thirrjen e shpallur, mirëpo marrëveshja ende nuk është nënshkruar. Shtoi se nëse i kalon filtrat në Qeveri, kjo kompani do të menaxhojë deri sa Qendra Klinike të jetë në vendin e njëjtë.“Personalisht mendoj se Qendra Klinike nuk do të jetë këtu më tepër se 7-8 vjet. Ne e kemi vendosur edhe këtë si kusht, që deri sa është Qendra Klinike këtu, mund të jetë 5 vjet, 6, 7, 8, 9, 10. Ja të themi 10 vjet, nuk do të jetë më tepër, për këtë, edhe interesi i kompanive ishte i vogël, nuk u paraqitën. Po të ishte për 20 vjet, sigurisht do të paraqiteshin, pa dallim, d.m.th., ajo që procedura… mua më njoftuan njësia projektuese se ka kaluar te ne, tani ka disa filtra në qeveri, nëse kalojnë, ok, nëse jo, sërish e shpallim konkursin”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.Kryeministri Hristian Mickoski, i pyetur për këtë çështje, tha se Qeveria deri më tani nuk ka sjellë vendim për këtë kompani, e cila sipas tij, nuk do të zgjidhet nëse vërtetohen parregullsi për të.
“Kuptohet se një kompani që nuk ka kreditueshmëri, nuk ka besueshmëri, e as karakteristika teknike, nuk do të zgjidhet dhe këtu përfundon e gjitha”, u shpreh kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.Nëse edhe në Qeveri merr dritë jeshile, ministri i shëndetësisë tregoi se çmimi për një orë vendparkim do të kushtojë 50 denarë, çmim sipas tij është i arsyeshëm në krahasim me parkingjet tjera.“Çmimet, çmimet janë 50 denarë, në “Ramstore” është 60 denarë për një orë. Mirë, për “Maqedonia e re”… shikoni, këtu kemi pasur parkim të automjeteve që e lënë këtu dhe pastaj dalin në qytet. 50 denarë mendoj se është çmim i volitshëm në territor. Para “Maqedonisë së re” është 40 denarë për qytetarët, kështu që 50 denarë nuk është çmim i lartë”, shtoi Arben Taravari – ministër i Shëndetësisë.Përndryshe parkingu i Qendrës Klinike tani menaxhohet nga Ndërmarrja Publike “City Parking”, por vendet janë të pamjaftueshme për kapacitetet dhe nevojat e qendrës klinike.