Vazhdojnë denoncimet për kafshimet nga qentë endacak. Dy raste janë denoncuar vetëm gjatë ditës së mërkurë, kur një 36 vjeçar nga Tetova është kafshuar nga një qen endacak.
Poashtu të mërkurën mbrëma një 57 vjeçare me iniciale G.K nga fshati Bërvenicë ka denoncuar se në këtë fshat është kafshuar nga një qen endacak.
Të dhënat e fundit nga Policia e Tetovës tregojnë se këtë vit ka rritje të numrit të denoncimit nga qytetarët për kafshime nga qentë endacak. Sipas policisë së Tetovës, këtë vit janë denoncuar 45 kafshime nga qentë endacak në Tetovë dhe 23 në Gostivar. Gjatë vitit të kaluar në Polici ishin denoncuar 60 kafshime nga qentë endacak në Tetovë dhe 36 në Gostivar. Shumica e këtyre kafshimeve kanë ndodhur në rrugët kryesore të qytetit, kryesisht gjatë orëve të mëngjesit dhe të mbrëmjes. Në ndërkohë nga komuna e Tetovës për këtë vit ende nuk kanë hapur tender për trajtimin e qenve endacak.
Nga komuna e Tetovës thonë se problemi me trajtimin e qenve endacak është një problem kompleks dhe nuk është problem që tangon vetëm qytetarët e Tetovës por edhe komunat tjera. “Ka një kërkesë nga këshilltarët e komunës së Tetovës që në seancën e radhës ta vendosim si pikë të diskutimit rreth kësaj çështje dhe marrjen e një vendimi ose hapi që do të jetë edhe zgjidhje e përhershme e këtij problemi”, tha Besar Durmishi, kryetar i këshillit të komunës së Tetovës.
Ditë më parë, kryetari i komunës së Gostivarit doli me propozim që në nivel të shtetit të ndërtohet një strehimore për trajtimin e qenve endacak. Nga komuna e Tetovës thonë se do të mbështesin një zgjidhje që do të ishte afatgjate.
“Pasi që është problem i të gjitha komunave, çdo propozim që do të jetë zgjidhje afatgjate dhe për të gjithë komunat ne do e përkrahim, jo vetëm nga kryetari i Gostivarit, por secili kryetar që mund të jep propozim ne do e mbështesim. Edhe ne do të kemi propozimet tona, do t`i diskutojmë në këshill dhe të marrim një vendim për këtë fenomen i cili është vite me radhë në komunat e Maqedonisë”, tha Durmishi.
Vitin e kaluar komuna e Tetovës kishte ndarë mjete për trajtimin e qenve endacak, duke lidhur një kontratë me një shoqatë me emrin Amos, por ky variant u tregua i pasuksesshëm, pasi që në rrugët e Tetovës ka shtim enorm të numrit të qenve endacak. Zgjidhja ishte kërkuar në nivel të komunave të Pollogut, me ndërtimin e një strehimore në Vrapçisht, por deri më tani nuk ka asnjë lëvizje pozitive në këtë drejtim. Dhe derisa komunat ende kërkojnë zgjidhje, në rrugë qytetarët gjithnjë e më shumë janë të rrezikuar nga qentë endacak. /koha.mk/