Suedia, e cila ka luftuar me një qasje më të butë ndaj pandemisë sesa vendet e tjera, njoftoi sot se mbi 4.000 njerëz kanë vdekur në vend, 90 për qind e të cilëve janë mbi 70-vjeç.
Nga 33.843 raste të konfirmuara të infeksionit, Agjencia e Shëndetit Publik regjistroi 4.029 vdekje në vend me një popullsi prej 10.3 milionë. Sipas ueb faqes Worldometer, shkalla e vdekshmërisë së lidhur me koronavirusin është 399 për një milion njerëz në Suedi, një normë dukshëm më e lartë sesa në vendet fqinje që kanë marrë masa për të kufizuar lëvizjen (Norvegjia 43, Danimarka 97 dhe Finlanda 56).
Por niveli i vdekjeve në Suedi është më i ulët se ai i regjistruar në Spanjë (615), Britani të Madhe (542) dhe Francë (435). Për dallim nga masat e rrepta të paraqitura në Evropë, në Suedi kufizimet në lëvizje nuk ishin kurrë në fuqi dhe shkollat për fëmijë nën 16-vjeç ishin të hapura gjatë gjithë kohës dhe të gjithëve u kërkohej të zbatojnë distancën sociale dhe të tregohen të përgjegjshëm.
Agjencia e Shëndetit Publik beson se qasja suedeze është më e mirë në planin afatgjatë dhe hedh poshtë masat e marra diku tjetër në një afat të shkurtër pasi i konsideron joefektive në lidhje me ndikimin që kanë ato në shoqëri në tërësi.