Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit A.K., i dyshuar për plagosjen e dy personave në Shtërpcë.
Sipas Prokurorisë, A.K. po dyshohet se rreth orës 14:00 në fshatin Gotovushë të Komunës së Shtërpcës, pas një mosmarrëveshje verbale ka shtënë dy herë duke i goditur dy persona të cilët kanë pësuar lëndime trupore.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty. Prokuroria e ka treguar me detaje se si ka ardhë deri te plagosja e dy të rinjve.
Rreth orës 14:00, në fshatin Gotovushë, komuna Shtërpcë, me dashje ka tentuar që t’i privoj nga jeta të dëmtuarit M. S dhe S.S., ku, pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen e markës “Mossberg” dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit, të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin e Graçanicës”- thuhet në njoftim.
Po ashtu, i njëjti i njëjti dyshohet se një orë para se të ndodhte plagosja ka shtënë pesë herë me armë zjarri, pasi i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës në pamundësi që të kyçet në rrugën që dërgon në Brezovicë, pasi aty ishin një grumbull qytetarësh.
“Rreth orës 13:00, në Brezovicë, komuna Shtërpcë, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me veturën e tij të markës “Golf V”, në pamundësi që të kyçet në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit, meqë aty kishte qenë një grumbull qytetarësh në rrugë, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revolen e markës “Mossberg” shtënë pesë herë në ajër”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë A.K., është i dyshuar për veprat penale, “Vrasja e rëndë në tentative”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Dy persona, njëri 11-vjeçar e tjetri 21-vjeçar, janë plagosur dje në Shtërpcë. Pak orë pas kryerjes së veprës, i dyshuari, A.K, 32-vjeçar është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.
Më pas, rrugët që të çojnë për në Shtërpcë u bllokuan. Banorët bllokuan rrugën duke vendosur goma të veturave dhe degë të drunjve. Në orën 22:00 filloi largimi i pengesave.
Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka thënë se të dielën më 8 janar do të mbahet protestë në Shtërpcë pas rastit të plagosjes së dy të rinjve atje.