Ish-drejtori ekonomik i spitalit të Tetovës, Artan Etemi, do të ankohet në Gjykatën Supreme, ndërsa ish-drejtori mjekësor Florin Besimi do t’i përdorë të gjitha mjetet juridike për të dëshmuar padrejtësinë. Të dy të dënuarit për zjarrin në modularin e Tetovës do të veprojnë kështu pasi Gjykata e Apelit në Gostivar i refuzoi ankesat e tyre për dënimin me nga 1 vit e 6 muaj burg, madje-madje ua rriti dënimet në 3 vjet burg secilit, pas ankesës së Prokurorisë dhe familjarëve të viktimave.Këtë vendim të Apelit të Gostivarit Etemi e quan “drejtësi selektive, me motive politike dhe etnike”.“Është selektive sepse që në fillim nuk u ngrit procedurë ndaj atyre që porositën, ndërtuan dhe mbikëqyrën ndërtimin e Spitalit Modular (ne e pranuam si donacion nga Ministria e Shëndetësisë). Është etnik sepse të akuzuar jemi vetëm dy Shqiptarë ndërsa ministri Filipçe, A thua vallë pse!? Ndërsa firma ndërtuese “Brako” e Angjushevit as që u hetuan sepse i mbrojti dikush”, tha Artan Etemi – i dënuar .
Edhe Florin Besimi thekson se janë dënuar edhe pse nuk kanë pasur asnjë rol në vendimmarrje apo ndërtimin e spitalit modular, ndërsa ata që e kanë projektuar dhe ndërtuar objektin nuk janë as të akuzuar. Në një përgjigje me shkrim, ai shpjegon se dënimi lidhet vetëm me pretendimin për mungesë të aparateve për fikjen e zjarrit, ndonëse është dëshmuar se ato kanë ekzistuar, fakt që gjykata nuk e ka pranuar. Sipas tij, është veçanërisht problematike që Gjykata e Apelit fillimisht ka konstatuar mungesë baze për dënim, por më pas ka pranuar dhe madje ka rritur dënimin në tre vjet burg efektiv.“Unë personalisht do të vazhdoj me të gjitha mjetet juridike për ta hequr nga vetja këtë padrejtësi, si para gjykatave, ashtu edhe para opinionit publik. Nuk mund të dënohem për aparate dore për fikjen e zjarrit, të cilat – edhe sikur të mos kishin qenë aty – nuk do të mund të shërbenin për të ndërhyrë ndaj një zjarri të atillë, i cili ishte pasojë e mënyrës së ndërtimit të objektit. Kjo është dëshmuar përmes të gjitha ekspertizave”, shtoi Florin Besimi, i dënuar.
Për vendimin e Apelit ka pasur edhe shumë reagime në opnion, por po ashtu edhe nga zyrtarë aktualë. Mes tyre, Blerim Sejdiu nga koalicioni VLEN! Ai shkroi po u rëndohet barra e fajit njerëzve që nuk hapën tenderë, nuk përcaktuan standarde ndërtimi e as nuk kishin përgjegjësi për mbikëqyrje, ndërsa ata që kishin pushtetin real, që firmosën, që vendosën dhe që heshtën, janë ende të lirë.
“Kjo është goditje e dyfishtë: një herë për viktimat dhe një herë për drejtësinë. Sepse drejtësia që ndëshkon të pafajshmit për të mbrojtur të fuqishmit, nuk është drejtësi. Është padrejtësi e ftohtë, e kalkuluar dhe e qëllimshme. Nëse fajtorët e vërtetë nuk mbajnë përgjegjësi, atëherë kjo tragjedi nuk ka marrë vetëm jetë njerëzish, ka djegur edhe besimin në shtet”, tha Blerim Sejdiu nga VLEN.
Përveç rritjes së dënimeve ndaj Besimit dhe Etemit, Gjykata e Apelit në Gostivar po ashtu rriti dënimin për 300 mijë denarë edhe për Spitalin e Tetovës si person juridik.
