Policia e Shtetit do të marrë veshje të reja për punonjësit e saj. Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur tenderin me fond limit 27 milionë euro për blerjen e uniformave dhe këpucëve. Sipas kritereve që janë përcaktuar në dokument, furnizimi me uniforma i punonjësve të policisë do të bëhet sipas sezoneve të verës apo dimrit, në mënyrë që të mbulohen nevojat në çdo kohë.
Lidhur me garancitë autoriteti kontraktor nënvizon se lëvrimi i mallit duhet të shoqërohet me deklaratën përkatëse.
“Meqenëse kemi të bëjmë me artikuj për uniforma dhe këpucë për punonjësit e Policisë e Shtetit, cilësia e zgjedhjes së operatorëve ekonomik fitues duhet të jetë maksimale, bazuar në kapacitet ligjore, teknike, profesionale dhe financiare të tyre.
Operatori ekonomik fitues, para fillimit të prodhimit, do të paraqesë nga dy modele fizike të çdo artikulli të cilët duhet të jenë në përputhje me të gjitha kërkesat e paraqitura.
“Për mallrat e prodhuara jashtë vendit të furnizuesi do të jetë plotësisht përgjegjës për të gjitha tatimet dhe taksat, taksat e pullës, tarifat e licencës dhe detyrime të tjera të tilla të vendosura jashtë vendit të blerësit.
Fondi limit për blerjen e veshjeve për Policinë e Shtetit është në total 27 mln euro, nga të cilat vetëm uniformat pritet të kushtojnë deri në 19 mln euro, ndërsa pjesa tjetër e parave do të shpenzohet për këpucë, stema dhe grada.