Ndërsa nxënësit kanë nisur me detyrat shkollore, 13 fëmijët shqiptarë të Idrizovës që tashmë duhet të jenë në klasë të gjashtë akoma janë pa mësim. Kjo për shkak se në shkollën fillore “Njegosh” të komunës Gazi Babë të Shkupit vazhdon të mos lejohet realizimi i mësimit në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë e deri në atë të nëntë. Në pritje të një zgjidhje, fëmijët po improvizojnë një klasë mësimi në shtëpinë e familjes Seferi ku me njëri tjetrin po përsërisin mësimet e vitit të kaluar.
“Po qëndrojmë në shtëpi, po mendohemi ku me shku, qysh me shku në shkollë, a kanë me hap paralelen po mendohemi. Me hap këtu paralelen më mirë dhe më afër sepse unë akoma jam e vogël me shku në Shkup”, u shpreh një nxënëse.
“Nuk po lexojmë se nuk kemi libra. Shkojmë te shkolla dhe I shohim të tjerët qysh mësojnë. Edhe ne dëshirojmë të mësojmë në gjuhën shqipe”, tha një tjetër nxënëse.
Fëmijët shqiptarë që për shkak të kushteve ekonomike u detyruan të mësojnë në gjuhën maqedonase thonë se po përballen me vështirësi të shumta.
“Unë jam klasa e tetë, mësoj maqedonisht. Por ti nuk ke shku në një shkollë tjetër për të vazhduar shqip, pse? Sepse është larg, duhet kushte për të shku te shkolla “Kongresi I Manastirit”. Shqip është ndryshe, maqedonisht më rëndë edhe notat më të dobëta”, shoti një tjetër nxënës.
Nga Komuna e Gazi Babës thonë se ende janë në kërkim të lokacionit për shkollë të re në Idrizovë ndërkohë që shkolla aktuale, sipas komunës, nuk i plotëson kushtet për paralele shtesë. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri thotë se problemi për momentin nuk është lokacioni pasi në shkollën aktuale ka klasa boshe që mund të përdoren për paralelet shqipe.
“Por, ama unë do ti kërkoj se deri në realizimin e atij investimi kapital si ministër menjëherë do të mbështes çdo llojë investimi tjetër I cili do të jetë për zgjerim hapësire, për sigurim të hapësirave tjera. Qoftë edhe një shkollë në formën modulare e ndërtuar, vetëm se deri në investimin kapital ato fëmijë të kenë afër, aty ku janë, të drejtën e arsimit. Nuk e di pse ka ende kryetar komunash të cilët mundohen ose shohin përfitime politike duke marr këto situata”, deklaroi Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit.
Prindërit dhe nxënësit e fshatit Idrizovë më shumë se një dekadë kërkojnë mësim në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, në shkollën fillore “Njegosh” në Jurumleri. Edhe në vitin 2019, Komuna e Gazi Babës refuzoi kërkesën për hapjen e paraleleve shqipe në këtë shkollë. Më pas mori vendim për ndërtimin e një shkolle të re në këtë fshat ku do të mësonin të gjithë fëmijët e fshatit, vendim i cili mbeti vetëm në letër dhe asgjë më shumë.