АSH-AAA kritikon faljen e borxhit të komunave: Paratë t’u ndahen qytetarëve, për të paguar faturat mujore

81

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë kritikuar faljen e borxheve të komunave nga ana e Qeverisë.

Thonë, se komunat qëllimshëm futen në borxhe, ndërkaq Qeveria ua fal të njëjtat. Kritikojnë, se falja po ndodh në kohën kur do të mbahen zgjedhjet lokale dhe në kohë të krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Propozojnë, që mjetet t’u ndahen qytetarëve që nuk arrijnë t’i paguajnë faturat mujore.

“Në Maqedoninë e Veriut kemi dhjetëra komuna që punojnë me humbje, kemi komuna që nuk i paguajnë shtesat e arsimtarëve, siç vepron – fjala bie – Komuna e Sarajit, por jo vetëm, kemi komuna që nuk kanë kurrfarë transparence financiare dhe që krijojnë dyshime të mëdha për korrupsion, kemi komuna që qëllimisht futen në borxhe, sepse ashtu u mundësohet korrupsioni, ndërsa në fund vjen qeveria dhe ua shlyen të gjitha këto, duke i sjellë në zero. Në terma të menaxhimit me financat publike kjo quhet stimulimi paaftësisë së komunave dhe stimulim i korrupsionit.

Përveç kësaj, kur kjo ndodhë në vitin që pritet të ndodhin zgjedhjet lokale, bëhet evidente se krejt kjo synon ta shpërlajë fytyrën e disa kryetarëve të komunave, që – gjatë menaxhimit me komunat – të vetmen gjë që e kanë rritur është sasia e borxheve. Prandaj, para se të bëhet kjo shlyerje borxhesh, më e rëndësishme është të bëhet një evaluim i punës së komunave dhe të bëhet vlerësimi i saktë, për ta përcaktuar se cilat janë komunat që kanë dështuar, të publikohet se pse ka ndodhur ky dështim, pse janë krijuar ato borxhe dhe ndaj kujt janë krijuar ato borxhe, që vetëm pastaj të mund të flitet për mundësinë e shlyerjes së tyre. Kështu siç vepron kjo qeveri vetëm stimulohet paaftësia dhe keqmenaxhimi me financat publike nga kryetarët e komunave.

Prandaj, i bëjmë thirrje qeverisë, që të mos abuzojë akoma me financat publike dhe të jetë e kujdesshme, sepse përmbytja financiare që e shkakton ajo nuk i fundos vetëm ata, madje më së paku ata, por është fundosje për gjithë shtetin dhe të gjithë qytetarët. Aq më shumë që kjo po ndodhë në kohë pandemie, që gjithsesi ka prodhuar edhe krizë financiare.

Koalicioni AlternAtivA & Aleanca për Shqiptarët propozon që ato para t’u
ndahen qytetarëve, të cilët, për shkak të kushteve të rënduara sociale, nuk mund t’i mbulojnë faturat mujore, por edhe kompanive, që janë në prag të
falimentimit për shkak të kufizimeve që i ka shkaktuar pandemia”
, thuhet mes të tjerash në reagimin e ASH-AAA-së.