VOA / Ciprasi në Shkup, Kryeministri i parë grek që viziton Maqedoninë e Veriut

0
75

Kryeministri Alexis Tsipras shkoi të martën në Shkup, vizita e parë e një kryeministri grek në vendin fqinj. Shkupi dhe Athina i dhanë fund mosmarrëveshjeve dhjetra vjeçare me zgjidhjen e problemit të emrit, qershorin e vitit të kaluar në rajonin e Prespës. Autoritetet qeveritare të dy vendeve nënshkruan të martën një sërë marrëveshjesh, njëra prej tyre për mbrojtjen dhe sigurinë e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut nga aeroplanët grekë. Dy kryeministrat, ndërkaq thanë se Marrëveshja e Prespës është një proces i pakthyeshëm, duke iu përgjigjur kështu shqetësimeve nëse në vendet respektive do të vinte opozita në pushtet, e cila e kundërshton ujdinë.

Zoti Tsipras është kryeministri i parë grek që viziton Maqedoninë e Veriut. Kjo u clësua si një vizitë historike si nga Shkupi ashtu dhe nga Athina zyrtare, duke marrë parasysh që problemet rreth tre dekadëshe mes dy vendeve fqinje duket se do t’i mbeten së kaluarës. Kryeministri grek erdhi në Shkup me pjesën më të madhe të kabinetit të tij, i shoqëruar nga një numër i madh biznesmenësh.

Por, për habi në platonë para qeverisë mungoi garda ushtarake dhe himnet e dy vendeve, që nuk ka qenë ndonjëherë praktikë e protokollit të niveleve të këtilla.

Greqia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi në shumë fusha, por ajo që shihet me kurreshtje është marrëveshja për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut nga aeroplanët grekë. Kjo, pasi fqinji më i vogël po shkon drejt anëtarësimit në aleancën e NATO-s.

Kryeministri grek Tsipras tha se Greqia do ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut në aftësimin dhe kapacitetet ushtarake, në industrinë e mbrojtjes dhe atë të kundërzbulimit ushtarak. “Këtë, siç tha, e bën për shkak të qëndrushmërisë në rajon dhe se kjo gjë nuk ka çmim”. “Ne duam një fqinj politikisht të qëndrueshëm dhe në mirëqenie. Vetëm kështu do të ndihemi të sigurt”, u shpreh zoti Tsipras.

Dy kryeministrat nuk mendojnë se nëse opozita në vendet respektive vjen në pushtet do t’i pezullonin marrëveshjet, përfshirë atë të Prespës për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë në Maqedonia e Veriut.

Kryeministri Zoran Zaev tha se për gjysmë viti nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës, tregëtia midis dy vendeve është shtuar për 20,7 për qind dhe shkëmbimi tregëtar arrin në 1 miliardë euro dhe se akoma pritet të hapen mundësi të reja.

“Do të përpiqemi që t’i sigurojmë kundërshtarët e marrëveshjes se ajo synon paqen dhe miqësinë midis dy vendeve dhe popujve”, tha zoti Zaev.

“Kemi humbur shumë kohë; duhet të shpejtojmë për t’i kapërcyer hendeqet”, u shpreh kryeministri grek.

Kryeministri Tsipras u prit edhe nga Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ndërsa nuk është paraparë një takim me presidentin në largim Gorgje Ivanov, i cili e kundërshton Marrëveshjen e Prespës dhe ka refuzuar ta ndryshojë emrin e vendit në tabelën para Presidencës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here