Skandali i madh i larjes së parave: Ka raste edhe nga Ballkani, përmendet edhe Sërbia ?

73

“Skandali më i madh financiar në dekadën e fundit” – me këtë titull, media botërore po përhap lajmin për rrjedhjen e më shumë se dy mijë dokumenteve konfidenciale nga Thesari amerikan, përkatësisht Rrjeti amerikan i hetimit të krimit financiar FinCEN.

Dokumentet zbulojnë sesi institucione të caktuara bankare botërore mundësuan që “paratë e ndyra” të bëhen pjesë e ekonomisë globale.

Dosjet që tregojnë transaksione të dyshimta parash ka edhe nga Ballkani Perëndimor, për të cilat nuk flitet tash për tash, ndërsa konkretisht përmenden investime nga Serbia.

“Kemi gjetur disa gjëra në lidhje me Ballkanin Perëndimor, por unë nuk mund të flas për to për momentin. Ne do t’i botojmë këto histori në javët dhe muajt e ardhshëm. Raportet nga FinCEN-i hedhin dritë mbi dështimin e sistemit bankar ndërkombëtar për të monitoruar lëvizjen e parave të pista. Në disa vende bëhet fjalë për para publike, këto praktikisht janë para që vidhen dhe dërgohen jashtë për t’u pastruar, më pas kthehen ose përdoren në vendet e tjera. Tani e dimë që bankat dinin në shumë raste të ndihmojnë rrjedhën e parave të pista dhe nuk bënë asgjë për këtë. Bankat ose mbyllën sytë, ose nuk ishin në gjendje të kuptonin se çfarë po bënin. Disa ndoshta u mashtruan,” tha James ëright, redaktori i hulumtimit i OCCRP, për N1, transmeton Bota Sot.

Si larje potenciale parash nga Ballkani Perëndimor përmendet një rast transaksioni nga Serbia, përkatësisht fabrika e çorapeve nga Gajdobra afër Baçka Palankës, për të cilën thuhet se mori nga kompania “Alpha Retail Group” nga Hong Kongu shumën prej 1.2 milionë dollarë përmes bankës së atëhershme Piraeus.

Kompania nga Hong Kongu transferoi 7.5 milionë dollarë dhe afër 18 milion euro në fabrikë nga Gajdoba përmes 49 transaksioneve të parave. Mirëpo ato para nuk u mbajtën në fabrikën e çorapeve, por iu kthyen kompanisë në Hong Kong menjëherë pas pagesës.

Gazetarët e KRIK-ut i thanë N1-së se kjo është një fabrikë që mori miliona subvencione nga shteti.

“…Raporti thotë se transaksioni është i dyshimtë, domethënë se dyshohet për pastrim parash, sepse nuk dihet origjina e parave, meqë është fjala për një “kompani guaskë” – ndonjë kompani fiktive i transferoi ato para ose sepse paratë shkuan përmes vendeve që njihen si vende të cilat shfrytëzohen për pastrim parash”, tha Bojana Jovanoviq, gazetare e KRIK-ut.

Sipas N1-së. presidenti i shtetit, kryeministri, ministrat e linjës, institucionet shtetërore kompetente – të gjitha kanë heshtur për lajmet se Serbia përmendet në “dosjet e FinCEN-it”, veçanërisht fabrika për të cilën zyrtarët shtetërorë thanë se ishte një shembull i një investimi të mirë.