Qytetarët e dijnë se PDSH ka përfaqësuar të mirën, të vërtetën dhe të drejtën gjatë pandemisë

0
67

Nga Driton Ibishi/

Që nga fillimi i pandemisë, Partia Demokratike Shqiptare ka bërë detyrën e saj duke kryer obligimet që ka ndaj qytetarëve e duke realizuar mendimin praktik. Partitë politike ekzistojnë për një qëllim. Të përfaqësojnë qytetarët. Pra, PDSH duke i angazhuar tërë qendrat brenda partisë ka bërë thjesht atë që duhej të bëhej.

Në kohë të rënda e situata të jashtëzakonshme apo të rrezikshme ekziston vetëm një qëllim, ruajtja e mirëqenies së përgjithshme. Duke pasur parasysh diferencat në ideologji të partive, përgjatë kësaj kohe kuadrot e subjekteve politike kalojnë kohë për të menduar zgjidhje adekuate për tejkalim sa më të shpejtë të problemit (në këtë rast pandemisë) dhe rimëkëmbje nga ajo, parimisht në pajtim me pozicionimin e tyre në spektrin politik. Gjatë tërë kësaj kohe, qendra analitike e PDSH-së nuk ka ndalur së hulumtuari dhe punuari për të dalë me zgjidhje të duhura për këtë situatë të veçantë, rezultatet e së cilës më pas edhe janë ndarë me opinionin nëpërmjet konferencave të vazhdueshme për media dhe propozimet i janë drejtuar qeverisë nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike Shqiptare. Ndërsa PDSH ka aktivizuar qarqet e saja, për propozime e sugjerime të masave që duhet të ndërmerren disa parti nuk kanë menduar fare dhe kanë zgjedhur rrugë të lehta si p.sh rrugën e kopjimit kurse disa të tjerë zgjedhin rrugën e tregimeve e rrëfimeve apo përrallave.

Rrëfimet e fundit ekonomike të partisë në pushtet (që po sundon tash e 18 vite) dëshmojnë joprofesionalizmin dhe paaftësinë e të ashtuquajturve ekspert të departamente partiake të tyre nga ku nuk del asgjë produktive përveç se rrëfime. Sa më shumë që i lexon komunikatat e tyre një person me shkollim ekonomik fillon të mendojë që autori i asaj komunikate nuk ka as Bachelor të kryer! Shkalla në të cilën po vepron ky joprofesionalizëm është e tmerrshme e madje e rrezikshme. Pse e rrezikshme? Për shkak se janë ata persona të paaftë të cilët nesër do të bartin pozita udhëheqëse dhe do të kenë dorë mbi politikat publike që nënkupton se për katër vite përveçse do të vuajmë përgjatë kësaj periudhe, do të na shkaktojnë edhe dëme e pasoja afatgjate për breza me rradhë.

Për fat të keq, disa kanë shfrytëzuar propagandat e tyre të ulëta populiste, aftësitë e tyre teatrale e madje kanë kryer edhe plagjiaturë. Ndërsa, Partia Demokratike Shqiptare është fokusuar që të jetë origjinale dhe profesionale dhe ka parashtruar e apeluar për politika publike të cilat kanë dalë pas hulumtimeve të mirëfillta (disa nga të cilat janë të përgjithshme) nga qendra analitike e partisë në bashkëpunim me departamentet brendapartiake.

Gjatë kësaj kohe, populli jonë padyshim se ka bërë një vlerësim etik që i njeh kush në të vërtetë janë të drejtit. Bindja jonë është që gjatë kësaj pandemie janë vendosur linja të qarta mes të profesionalizuarve dhe të paaftëve. Qytetarët veçse e kanë bërë këtë dallim. Ata e dinë kush realisht ka përfaqësuar të mirën, të vërtetën dhe të drejtën!

Autori është zëdhënës i PDSH-së