Muhamet Zekiri -Muki flet për koordinimin mes BDI-së e VMRO-DPMNE-së

224

Bashkimi Demokratik për Integrim dhe VMRO-DPMNE-ja e kanë vërshuar sot Parlamentin me mijëra amendamente kundër propozimit të LSDM-së që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore. Nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zeqiri, njëherit deputet i kësaj partie, gjatë një prononcimi për gazetën LAJM, vlerësoi se bëhet fjalë për hap të koordinuar të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, respektivisht vazhdim i veprimit të koordinuar mes këtyre dy partive, që sipas tij po zgjat tani një kohë më të gjatë. Ai tha se partia e Ahmetit dhe Mickovskit janë të frikësuara nga ndryshimi i modelit actual zgjedhor prandaj kanë vendosur që përmes amendamenteve ta bllokojnë punën e Kuvendit, duke propozuar në të njejtën ditë mijëra amendamente.
“Koordinimi mes VMRO-së dhe BDI-së është duke ndodhur një kohë të gjatë. Për këtë kam alarmuar edhe më herët dhe kjo është vetëm një vërtetim se ata kanë agjendë shumë më të përafërt me VMRO-DPMNE-në sesa me ne që jemi duke bashkëqeverisur. Unë nuk i kuptoj se cila është frika e BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së që Maqedonia e Veriut të bëhet një njësi zgjedhore. Duhet t’i tregojnë argumentet përse janë kundër dhe përse e bllokojnë këtë nismë. E dyta, nuk e kuptoj pse janë kundër që 50% në listat zgjedhore të jenë femra dhe e treta, pse janë kundër që listat zgjedhore të jenë të hapura. Kjo tregon se ata nuk kanë kuadër, nuk janë të gatshëm dhe kanë frikë që të dalin dhe t’i japin mundësi qyetarëve që të zgjedhin emra dhe mbiemra, të votojnë për njerëz dhe pse lejojnë të diskriminohen femrat”, tha deputeti i LSDM-së Muhamed Zekiri për gazetën LAJM.