Hidhet poshtë kërkesa për rinumërimin e votave, Vetëvendosja partia e parë

0
24

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave të rregullta nga zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë. Vetëvendosja e Albin Kurtit është partia e parë me mbi 203 mijë vota apo 25.49 për qind. Pas saj radhitet LDK-ja me 197.702 vota apo 24.82 për qind. PDK-ja ka marrë 169 mijë e 211 vota ndërsa koalicioni AAK-PSD 92.149.

NISMA e Fatmir Limajt në koalicion me AKR-në e Behgjet Pacollit për momentin nuk e kanë kaluar pragun e nevojshëm prej 5%. Partia e Limajt shpreson se pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të diasporës, do të arrijnë të kalojnë pragun dhe të hyjnë në Kuvend.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur si të palejuara ankesat nga PDK-ja, LDK-ja e koalicioni Nisma-AKR-PD për rinumërim të të gjitha fletëvotimeve me arsyetimin se kanë vërejtur një gabim teknik që mund të ndikojë në rezultat.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa

“PZAP, në seancën e mbajtur më datë 08.10.2019, ka shqyrtuar ankesat: Anr.350/2019, të paraqitur nga Subjektit Politik PDK, Anr.351/2019, e paraqitur nga Subjekti Politik LDK dhe Anr.353/2019, e paraqitur nga Koalicioni NISMA-AKR-PD, të datës 07.10.2019, me të cilën kanë kërkuar që të Urdhërohet KQZ-ja, që të bëjë rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve në të gjitha vendvotimet e Republikës së Kosovës dhe ka marrë vendim për ti’ hedhur si të palejuara ankesat”.

Misioni i BE-së në Kosovë zgjedhjet e 6 tetorit i vlerësoi si të organizuara mirë dhe transparente ndërsa procesin e votimit dhe numërimit të votave e vlerësuan pozitivisht.

Viola van Kroman-Taubadel, Kryesuese e Misionit të BE-së për zgjedhjet
“ Zgjedhjet e 6 tetorit janë konsideruar transparente dhe mirë të organizuara. Në ditën e zgjedhjeve kishte rregull dhe Misioni i BE-së e vlerëson pozitivisht procesin e votimit në të gjithë vendin”.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA-ja pret që udhëheqja e re në Kosovë të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara e urojnë popullin e Kosovës për përfundimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare, tha ky zëdhënës për Zërin e Amerikës.

 Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit

“Ne mirëpresim mundësinë që të punojmë me një qeveri të re pro-dialog, që të jetë e angazhuar për forcimin e demokracisë dhe paqes, për drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve“.

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti ka pritur në selinë e partisë ambasadorin amerikan në Kosovë Philip Kosnet. Në një komunikatë të Vetëvendosjes thuhet se “ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe e uroi kryetarin Kurti për një fushatë që i adresoi shqetësimet e votuesve”.

Në anën tjetër, Kurti, thuhet në komunikatë, e siguroi Kosnettin se “do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Vetëvendosje dhe LDK-ja nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një marrëveshjeje për formimin e qeverisë së re, edhe pse është thënë se negociatat do të nisin pas numërimit të të gjitha votave.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here