Bojkotohet mësimi, “s’ka ajër, s’ka paqe”, drejtoresha kërcënon nxënësin, shkarkohet nga puna

0
137

“Për momentin, nuk është konfirmuar për “Korçagin”, vetëm “Nikolla Karev” po proteston, nuk ka mësim. Për pasojat nuk ju garantoj”, tha Gorica Iliovska, drejtoreshë e Shkollës “Nikolla Karev”.

Për shkak të këtij kërcënimi, drejtoresha u shkarkua nga puna, edhe atë me vendim të kryetarit të Qytetit të Shkupit, pasi videoja u shpërnda nëpër rrjetet sociale dhe mediat.
Arsyeja për veprimin e saj ishte bojkoti i nxënësve, si paralajmërim për marshin e sotëm kundër ndotjes së ajrit.

“Qyteti i Shkupit u sugjeron të gjithë udhëheqësve të institucioneve, se me punën e tyre duhet t’i respektojnë parimet sipas të cilëve janë zgjedhur në postin e tyre, siç është respektimi i së drejtës së mendimit të lirshëm, i së drejtës për të protestuar dhe i së drejtës për shkëmbim demokratik idesh. Kjo administratë e Qytetit qëndron prapa së drejtës së çdokujt për të protestuar dhe për të menduar lirshëm dhe brenda saj nuk ka vend për kërcënime ndaj nxënësve të shkollave të mesme dhe së drejtës së tyre për protestë”, tha Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Jo vetëm nxënësit e gjimnazit “Nikolla Karev” vendosën ta bojkotojnë procesin mësimor. Me maska në fytyrë dhe parulla për ajër të pastër dolën edhe nxënësit e disa shkollave të tjera në territorin e Qytetit të Shkupit.

Pas protestës në oborrin e shkollës, një pjesë e nxënësve marshuan deri në godinën e Qeverisë.

Pastaj vazhduan deri te Kuvendi i Maqedonisë.

Përveç në Shkup, bojkot i procesit mësimor kishte edhe në disa qytete të tjera. Nxënësit e shkollave të mesme e bënë këtë hap si mbështetje të marshit të djeshëm kundër ajrit të ndotur “Revolucion i gjelbër” që e organizuan disa organizata joqeveritare.