Abdulla Mehmeti / Sorrat nuk bëhen shqiponja

186

Shenjat e para të bashkimit kombëtar të shqiptarëve kanë filluar të shfaqen, jo përmes proceseve të natyrshme, por përmes individëve, të cilët kanë nga dy-tri vendbanime dhe disa shtetësi të shteteve ku jetojnë shqiptarët, disa edhe shtetësi të huaja. Varësisht nga situata, aty ku gjendja bëhet më e mirë, atje edhe vendosen të jetojnë përkohësisht, të punojnë dhe fitojnë privilegje nga pushteti përkatës i atij vendi.

Një politikan shqiptar nga Maqedonia, për shembull, kur nuk arrin të zgjidhet kryetar shteti në Maqedoni, nuk e vazhdon betejën politike aty ku nuk sheh perspektivë, por transferohet në shtetin tjetër ku sheh ardhmëri më të mirë dhe bëhet ministër, apo funksionar i lartë i pushtetit në një shtet tjetër shqiptar, në Kosovë.

Kështu ka qenë edhe në të kaluarën, kur disa politikanë shqiptarë nuk kanë siguruar pozita të mira pune e karriere në Prishtinë, i janë vardisur skenës politike në Maqedoni, dhe sa herë që kanë dështuar në terrenin e ri politik janë rikthyer në terrenin e mëparshëm, për sigurimin e një pozite më të mirë në pushtet dhe për mirëqenie personale, pa çka se shqiptarët vazhdojnë të përpëliten për mbijetesë nën kthetrat e pushteteve të huaj, të egër e vrasës për shqiptarët e pambrojtur.

Shqiptarët në përgjithësi, asnjëherë nuk kanë pasur elita politike dhe intelektuale konsekuente, me parime atdhetare e morale, që dy punë të dobishme t’i bëjnë bashkë, prandaj shqiptarët kanë mbetur në këtë gjendje ku janë sot, për t’i qarë Stambolli, në duart e matrapazëve, hajdutëve, udhëheqësve të ligë dhe kriminelëve, të cilët e trashëgojnë brez pas brezi zanatin e përshtatjes ndaj pushtetit, cilido qoftë dhe i kujtdo qoftë ai, pa edhe i okupatorëve dhe sunduesve më të egër, ku shqiptarët janë lënë në mëshirën e Zotit dhe të fatit, pa udhëheqës politik të denjë.

Me dhjetëra intelektualë dhe politikanë shqiptarë nga Maqedonia edhe në të kaluarën e kanë luajtur këtë lojë, jo duke qëndruar mes popullit kur ka qenë e nevojshme, në fushë të mejdanit, aty ku zhvillohet beteja e madhe politike e kombëtare mes shqiptarëve dhe pushtetit okupator, por duke ikur e larguar atje ku e kanë ndjerë veten dhe familjet e tyre më mirë, në pritje të rrethanave të reja më të përshtatshme për t’u rikthyer në vendlindje, që të rrëmbejnë fitoret dhe frytet e betejave të fituara me shumë mund e sakrifica nga të tjerët.

Përderisa mes shqiptarëve do të ketë intelektualë dhe politikanë të cilët busullën e lëvizin varësisht nga interesi personal, siç e kanë lëvizur deri më sot, duke u ndarë në politikanë dhe intelektualë që krijojnë rrethana dhe të tillë që vetëm i shfrytëzojnë këto rrethana, lëvizja politike e shqiptarëve në Maqedoni nuk do të ketë kahe të mbarë, me këtë as suksese siç kërkojnë nevojat e kohës dhe për të ardhme më të mirë të popullin shqiptar në Maqedoni.

Kjo gjendje ndër shqiptarët do të vazhdojë derisa ata ta kuptojnë se sorrat nuk bëhen shqiponja, të fluturojnë në lartësitë e idealeve të larta kombëtare për liri dhe bashkim kombëtar!