11.8 C
Tetovo
E premte, 29 Mars, 2024
BallinaOpinionAbdulla Mehmeti / HAJNAT E TË GJITHA NGJYRAVE BASHKOHEN, PËRDERISA POPULLI FLEN

Abdulla Mehmeti / HAJNAT E TË GJITHA NGJYRAVE BASHKOHEN, PËRDERISA POPULLI FLEN

Pas takimit të sotëm mes kryeministrit të Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev dhe kryetarit të opozitës maqedonase, Hristjan Mickoski, për formimin e qeverisë teknike, pas 3 janarit, e cila me mandat tremujor duhet t’i përgatisë dhe organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit 2020, ndër temat kryesore të këtij takimi ka qenë edhe çështja e ndryshimit të Kodit zgjedhor. Me këtë rast, dy liderët e blloqeve të partive politike maqedonase paskan rënë dakord që:

“menjëherë pas zgjedhjeve, të ulen dhe të bisedojnë për sistemin zgjedhor dhe për modelin zgjedhor me lista të hapura.”

Ndryshimi i Kodit zgjedhor është i nevojshëm të ndodhë sa më parë, për demokratizimin e shoqërisë dhe të shtetit, jo për arritjen e marrëveshjeve mes hajnave të pushtetit të derisotëm. Ndryshimet ka nevojë të bëhen para zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit, për sigurimin e të drejtave të plota të votuesve përmes një modeli zgjedhor më demokratik, jo pas zgjedhjeve të 12 prillit, me të cilat edhe më tej do të instalohen në pushtet të njëjtët politikanë të korruptuar, persona të përfshirë në korrupsion dhe krime, të cilët kanë lëshuar rrënjë me dekada në pushtetin e këtij shteti të kapur nga mafia dhe klanet kriminale partiake.

Ky vendim nuk është edhe i rastësishëm, përderisa nga të dhënat e institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare të dy këto blloqe (koalicione) të partive politike dyshohen se e kenë vjedhur shtetin gjatë tri dekadave, secila gjatë qeverisjes së tyre me afërsisht nga 6 (gjashtë) miliardë euro.

Ndërkohë, partitë politike të shqiptarëve, edhe më tej po sillen si filiale të këtyre koalicioneve të partive maqedonase, të ngujuara në mashtrimet mes Marrëveshjes kornizë të Ohrit dhe të Platformës së përbashkët të partive shqiptare parlamentare, të nënshkruar dy vite më parë, sikur asgjë nuk po ndodh në këtë shtet, edhe përkundër shpërnguljes së afër gjysmës së banorëve shqiptarë të këtij shteti në botën e jashtme, për mungesë të demokracisë, lirisë dhe barazisë, të shtetit ligjor, për mungesë të vendeve të punës dhe ekzistencës, të sigurisë dhe perspektivës për të ardhmen.

(28.XII.2019)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments