ZEKIRIJAH IBRAHIMI U PËRGJIGJET MENDUH THAÇIT DHE ZORAN ZAEVIT: MOS U VARDISNI, KEMI SHUMICË TË RE

42

Alternativa përgënjeshtron deklaratat e mbrëmshme të Menduh Thaçit për gjoja marrëveshje për t’iu bashkëngjitur Qeverisë aktuale pas zgjedhjeve. Sekretari për Media i Alternativës Zeqirija Ibrahimi theksoi sot se deklaratat e kreut të PDSH-së Menduh Thaçi synojnë të nxisin përçarje në koalicionin me Aleancën për Shqiptarët, koalicion që vazhdon të funksionojë mirë sipas Ibrahimit. Madje sipas tij, nga e hëna fillon puna për shumicë të re parlamentare që do të zëvendësonte Qeverinë aktuale.

Zeqirija Ibrahimi, Sekretar për Media në Alternativa
“Nëse është i vërtetë fakti që ai është më informuari, i bie se plotë herë në jetë e ka huqur ai njeri. Dhe ju çdoherë do të duhet t’i merrni me shumë rezervë ato gjëra që ai thotë. Janë gjëra në kuadër të fushatës parazgjedhore për të futur përçarje në kuadër të koalicionit, janë të parëndësishme edhe krejt relative. Koalicioni jonë funksionon në mënyrën më të mirë dhe ne shpresojmë se prej të hënën tjetër të fillojmë të punojmë për shumicën e re”

Ibrahimi është përgjigjur edhe për deklaratat e pak ditëve më parë të kryeministrit Zoran Zaev, i cili lavdëroi Alternativën si parti serioze por që nënçmohet nga partneri i koalicionit Aleanca për Shqiptarët. Sipas Zeqirija Ibrahimit, edhe deklaratat e Zaev janë thjesht vardisje ndaj Alternativës duke parë se po i lëkundet shumica parlamentare.

Zeqirija Ibrahimi, Sekretar për Media në Alternativa
“Edhe kjo është në kuadër të vardisjeve që i ka pushteti ndaj nesh. Faleminderit për vlerësimin, por s’kemi nevojë fare”

Rezultati i rrethit të parë të zgjedhjeve lokale, që solli humbjen e LSDM-së ndaj VMRO DPMNE-së, ka bërë që partitë opozitare të fillojnë bisedimet për shumicë të re parlamentare. Sipas paralajmërimeve, disa parti më të vogla në koalicion me LSDM-në mund të kalojnë në anën tjetër, duke mundësuar një shumicë të re parlamentare dhe qeveri të re mes VMRO DPMNE-së dhe koalicionit Aleanca për Shqiptarët – Alternativa.  /SHENJA/