“Eco Guerilla”: Qeveria të veprojë urgjentisht! Hidro-mafia pengon mos shpalljen e Malit Sharr si Park nacional

235

“Eco Guerilla” gjatë ditës së  sotme ka kërkuar nga qeveria që vendimin e ekspertëve për shpalljen e Malit Sharr si park nacional, ta dërgojë para deputetëve  në Kuvend me qëllim formalizimin e këtij vendimi si dhe të respektojnë vlerësimet dhe konkludimet e ekspertëve rreth zonimit të brendshëm të parkut.

Arjanit Xhaferi nga kjo lëvizje kërkon që kjo të bëhet sa më parë  për të shmangur presionet, që siç thekson, janë duke bërë grupet e interesit që janë përfshirë në ndërtimin e hidro-centraleve të vogla e që të cilët kërkojnë të pengojnë shpalljen e Malit Sharr si Park Nacional.
 
“Sot ne kërkojmë nga qeveria që vendimin e ekspertëve për të shpallur Malin Sharr Park nacional ta dërgojë përpara deputetëve në kuvend, me qëllim formalizimin e këtij vendimi si dhe të respektojnë vlerësimet dhe konkludimet e ekspertëve rreth zonimit të brendshëm të parkut. Kjo sepse, jemi të informuar se ekziston një formë presioni nga ana e grupeve të interesit që janë përfshirë në ndërtimin e hidro-centraleve të vogla të subvencionuara nga paratë e taksapaguesve të cilët kërkojnë të pengojnë shpalljen e Malit Sharr Park Nacional deri sa ata të realizojnë projektet e tyre dhe të shkatërrojnë mjedisin dhe lumenjtë e Sharrit. Ky lloj presioni nga ana e hidro-mafias nuk duhet të merret parasysh nga të zgjedhurit e qytetarëve dhe nga qeveria”, deklaroi Arianit Xhaferi nga “Eco Guerilla”.