9.7 C
Tetovo
E enjte, 28 Mars, 2024
BallinaLajmeDW / Edi Rama padit Ramush Haradinajn për “shpifje”

DW / Edi Rama padit Ramush Haradinajn për “shpifje”

Reagoi kryeministri i Kosovës në largim Ramush Haradinaj pas padisë së kryeministrit, Rama. Ai tha, se është në dijeni të raportimeve për padinë e kryeministrit Rama dhe do të përgatisë një përgjigje në padi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka paditur kryeministrin e Kosovës në largim Ramush Haradinaj, për “shpifje”. Padinë e publikoi “Betimi për drejtësi”, një emision që përgatitet nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ku thuhet se Rama padinë e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në padinë 30 faqëshe të publikuar nga “Betimi për Drejtësi” pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve. Në këtë padi përmenden disa emisione të transmetuar,a në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë dhe e ka akuzuar Edi Ramën, që së bashku me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe Presidentin e Serbisë Aleksander Vuciq, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njofton Betimi për drejtësi.

“Në datën 17.10.2019 dhe 29.10.2019, i padituri Ramush Haradinaj, në kohën e kryerjes së deklaratës, Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, gjatë një interviste të dhënë gazetarit Artur Zheji e të publikuar në emisionin 360 gradë në datën 17.10.2019 si dhe gjatë intervistës së kryer në datën 29.10.2019 në emisionin televiziv Pressing/Zona Pressing të publikuar në televizionin “T7” të Republikës së Kosovës, ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cenimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm”.

Haradinaj: Padia e pabazuar

Në padi më tej thuhet, se deklaratat e Haradinajt janë bërë në kuadër të debateve rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Kjo çështje ka dominuar debatin publik që nga fundi i vitit 2018 dhe përgjatë vitit 2019, duke rezultuar në akuza deri për “tradhti”, çdo herë e përkundrejt personave të pretenduar, se gjatë këtij procesi dialogu kanë mbështetur idenë e të ashtuquajturit “shkëmbim të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë”, citohet të ketë thënë Edi Rama në tekstin e padisë. E sipas Edi Ramës, “Ramush Haradinaj është autori e përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete, të cilat në mënyrë të përsëritur e në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme, sipas së cilës “kryeministri i Republikës së Shqipërisë në personin e Paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Republikës së Kosovës në veçanti”.

Kosovo erhöht Einfuhrzölle - Ramush Haradinaj spricht auf der West-Balkankonferenz in Österreich (picture-alliance/AA/A. Kiyagan)

Kryeministri i Kosovës në largim Ramush Haradinaj nga ana e tij, shkroi në rrjetin social facebook, se është në dijeni të raportimeve për padinë e kryeministrit Rama dhe do të përgatis një përgjigje në padi. “Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore. Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, shkroi në postimin e tij Ramush Haradinaj.

Kush duhet të provojë vërtetësinë e akuzave?

Njohësi i çështjeve juridike, Dastid Pallaska vëren specifikat ligjore lidhur me padinë e Ramës kundër Haradinajt. “Sipas Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, për t’u liruar nga përgjegjësia ligjore për shpifje dhe/apo fyerje, i padituri ka barrën e provës për të vërtetuar se deklarata e tij/saj është e vërtetë”, shkruan Pallaska në profilin e tij social.

Por sipas ekspertit “ky rregull ka një përjashtim të rëndësishëm në rastet, kur objekt i kërkesë-padisë për shpifje dhe/apo fyerje është një çështje e interesit publik që si paditës përfshin persona që mbajnë funksione publike. Në këto raste, barra e provës për vërtetimin se deklarata përkatëse është shpifëse dhe/apo fyese kalon tek paditësi. Për më shumë, i padituri në këto raste mund të mbahet përgjegjës vetëm nëse e ka ditur që deklarata e tij/saj është shpifëse dhe/apo fyese dhe ka vepruar me mospërfillje të pamatur ndaj të vërtetës”, thekson, Dastid Pallaska. Sipas tij, kjo do të thotë se, “po që se padia tejkalon pengesat e shumta procedurale dhe do të shqyrtohet meritorisht, Kryeministri i Shqipërisë do ta ketë barrën e provës për të vërtetuar se nuk është “tradhtar”, shkroi Dastid Pallska.

Raportet ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës në largim Ramush Haradinaj,  nuk janë të mira që nga koha e mbajtjes së Samitit të Berlinit të organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Në atë takim ku u diskutua për raportet e Ballkanit Perëndimor me theks të veçantë raportet Kosovë-Serbi, Ramush Haradinaj tha se është përballur me presion të madh nga Edi Rama për heqjen e taksës 100% për produktet e Serbisë të vënë nga qeveria e Kosovës. Edi Rama e pati mohuar këtë deklaratë të Haradinajt.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments