9.7 C
Tetovo
E enjte, 28 Mars, 2024
BallinaLajmeBeyer godet Borellin: Ndryshimi i kufijve i rrezikshëm, mos jetoni nën iluzionin...

Beyer godet Borellin: Ndryshimi i kufijve i rrezikshëm, mos jetoni nën iluzionin se Gjermania do ta pranojë

Raportuesi për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Peter Beyer që njihet edhe si aleat politik i Kancelares Angela Merkel në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express tha se nuk duhet të ketë prekje të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Beyer, i cili është deputet në Bundestagun gjerman nga radhët e CDU’së së Kancelares Angela Merkel, u shpreh se pozicioni i Gjermanisë mbetet i pandryshueshëm sa i përket idesë për ndryshim kufijsh.

Deputeti gjerman po ashtu tha se detyra e vetme në tryezën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët.  Tutje, ai tha se Gjermania në koordinim me partnerët evropianë duhet të marrë rolin kyç në procesin e dialogut.

Gazeta Express: Si e shihni qëndrimin e Përfaqësuesi të Lartë të BE’së për Politikën e Jashtme, Josep Borell në një intervistë të cilën e dha para dy ditësh, ku u shpreh se nuk është kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nëse dy shtetet pajtohen për këtë?

Peter Beyer: Nuk jam në dijeni për intervistën e z.Borell. Në çfarëdo situate, pozicioni jonë mbetet i pandryshueshëm. Jo prekje të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës. Pikë. Askush nuk duhet të jetojë nën iluzionin se Gjermania mund të ndryshojë pozicion këtu. Ajo nuk do të ndodhë. Është e qartë se paraqitja në publik e një ideje të tillë është në kundërshtim me interesat e paqes dhe stabilitetit të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Nuk është po ashtu e dobishme nëse herë pas here ide të vjetra apo të reja hudhen në debatin publik. Përqëndrimi në procesin e normalizimit me qëllim të një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme mbetet detyra në tryezë. Nuk ka ndonjë lajm aty.

Gazeta Express: A mendoni se Gjermania duhet të luajë rol kyç në ndërmjetësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Peter Beyer: Sikur në të kaluarën, Gjermania mbetet e përkushtuar në procesin e pranimit në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi si dhe të normalizmit të procesit mes Serbisë dhe Kosovës në veçanti. Unë pajtohem që Gjermania, gjithmonë në koordinim të afërt me partnerët evropianë duhet të marrë rolin udhëheqës në dialog.

Gazeta Express: Në funksionin tuaj si Koordinator i Bashkëpunimit Transatlantik në Qeverinë Federale të Gjermanisë, si e shihni rolin e Emisarit Special të Presidentit Donald Trump, Richard Grenell në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë?

Peter Beyer: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aleat i ngushtë dhe mike e Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës. Të dyja, Gjermania dhe SHBA’ja i përkasin njohëseve më të hershëm të Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur. Ekziston një shkëmbim i shpeshtë i përvojave, ideve dhe qasjeve politike midis SHBA’ve dhe Gjermanisë në lidhje me Ballkanin Perëndimor. SHBA’ja pa dyshim e kupton se integrimi dhe pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është e rëndësisë kryesore dhe çështje e mirëfilltë evropiane. Vetëm Bashkimi Evropian mund të ndihmojë të tejkalohen sfidat politike dhe historike dhe të hapë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gazeta Express: Para dy ditësh në cilësinë e  raportuesit për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u keni bërë thirrje liderëve politikë në Kosovë për përgjegjësi politike dhe respektim të rendit dhe ligjit, pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Presidentit të Kosovës deri më 29 maj për mandatarin e ri të qeverisë. A mendoni se Kosova do ta kalojë këtë ngërç institucional dhe të jetë e gatshme për të filluar dialogun me Serbinë?

Peter Beyer: Kriza aktuale politike dhe kushtetuese në Kosovë vijnë në një kohë kur bota është goditur fort nga një pandemi globale, duke rezultuar në vështirësi të mëdha për qytetarët e një vendi të vogël e të varfër por vend krenar. Unë jam akoma i sigurt që aktorët politik do të kuptojnë sinjalet dhe janë të  udhëhequr nga arsyeja dhe përgjegjshmëria. Nuk duhet të ndodhin trazira në rrugë as në parlament siç janë parë në të kaluarën. Njerëzit janë duke vuajtur dhe kanë nevojë për perspektivë që tri krizat të menaxhohen nga ata që janë në pozicionet udhëheqëse të vendit.

Gazeta Express: Dje u mbajt Samiti i Zagrebit për Ballkanin Perëndimor dhe një nga çështjet me të cilën qytetarët e Kosovës ende përballen është liberalizimi i vizave. A mendoni se Bashkimi Evropian duhet që përfundimisht të pajtohet për t’i dhënë dritën e gjelbër Kosovës dhe të heq regjimin e vizave?

Peter Beyer: Liberalizimi i vizave është i vonuar. Ndjehem i turpëruar që Bashkimi Evropian nuk ka vepruar në këtë kontekst. Liberalizimi i vizave është i vonuar. Nuk mund të ketë justifikime të mëtutjeshme nga shtetet e veçanta anëtare të BE-së, nëse nuk dëshirojmë të tregojmë plotësisht besueshmërinë tonë. Por unë gjithashtu e di se ka shumë vullnet të mirë që më në fund të bëhet e mundur lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës./GazetaExpress/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments