10.7 C
Tetovo
E enjte, 28 Mars, 2024
BallinaLajmeVOA / Protestë paqësore e opozitës në Tiranë

VOA / Protestë paqësore e opozitës në Tiranë

Në Shqipëri kryetari Partisë Demokratike përsëriti sot në mbrëmje se largimi i kryeministrit Edi Rama mbetet një çështje e panegociueshme për zgjidhjen e krizës politike në vend. Duke folur në protestën e organizuar para selisë së Kryeministrisë, zoti Basha shtoi si një tjetër “kusht të panegociueshëm” ndëshkimin me burg “të atyre që kanë vjedhur votat”, duke iu referuar përgjimeve të publikuara së fundmi nga gazeta gjermane BILD, në të cilat përfshiheshin eksponentë socialistë në biseda për shitblerje votash apo presionesh për të votuar partinë socialiste në zgjedhjet e parakohshme të viti 2016 në Dibër .

“Tani që provat janë në sytë e çdokujt, zotimi i 16 shkurtit qëndron në fuqi. Nuk ka e nuk do ketë negociata me Ramën kryeministër, nuk ka e nuk do ketë marrëveshje politike pa dënuar hajdutët e votave, asnjë marrëveshje politike pa çliruar votën tuaj e dinjitetin tuaj”, theksoi zoti Basha duke ju drejtuar mbështetësve të grumbulluar në bulevardin kryesor të Tiranës.

“Kjo krizë e thellë nuk mbyllet thjesht mbi një marrëveshje bazuar mbi pazare politike. Kjo krizë duhet e do të mbyllet mbi parime dhe sonte dua ta them qartë e prerë se parimi i parë është çuarja para drejtësië e atyre që u vodhën votën shqiptarëve”, deklaroi zoti Basha.

I pandryshuar mbetet qëndrimi i opozitës edhe lidhur me 30 Qershorin. Sipas zotit Basha, kryeministri “po shkon drejt grushtit të shtetit të votimeve pa opozitë. Ta dijë mirë Rama se ne nuk bëjmë asnjë hap pas. Nuk ka zgjedhje më 30 Qershor. Aleanca qytetare është në këmbë, beteja vazhdon qytet më qytet, fshat më fshat. Çdo tentativë për të provokuar shqiptarët do dështojë me turp, ndërsa 30 Qershori do të jetë varreza politike e Ramës”, u shpreh kreu i opozitës, duke ftuar mbështetësit e opozitës “të jemi në çdo shesh e rrugë për të mbrojtur demokracinë e kushtetutën me fuqinë e kauzës sonë të drejtë”.

SI asnjëherë më parë në protestat e muajve të fundit, nuk u shënua as incidenti më i vogël. Zoti Basha pas fjalës së tij, i ftoi sërish mbështetëit e opozitës të marshonin drejt selisë së parlamentit. Edhe këtu nuk pati asnjë incident, ndërsa zoti Basha, pas një qëndrimi të shkurtër u drejtua për në selinë e Partisë Demokratike.

Protesta e mbërmjes së sotme, u zhvillua në një moment kur situata është tensionuar dhe më tej. Ditët e fundit u shënuan nga incidente të dhunshme në shumë qytete të vendit ku opozita drejton Bashkitë. Zyrat e Komisioneve zgjedhore zonale u sulmuan dhe në disa raste materialet zgjedhore u shkatërruan. Nuk munguan as përplasjet me policinë, ndërsa e gjitha u pasua me arrestime dhe procedime ndaj disa dhjetra personave, mes të cilëve sipas autoriteteve dhe punonjës të policive bashkiake, si dhe ndaj ish deputetëve demokrat, si në rastin e zoti Bardh Spahia.

Opozita deklaron se njeh Dekretin e Presidentit të Republikës që ka anulluar zgjedhjet, ndërkohë që shumica nga ana e saj vijon me fushatën elektorale.

Protesta u parapri nga deklaratat e komunitetit ndërkombëtar, përmes së cilave iu kërkua udhëheqësve të opozitës që të siguronte se ajo do të ishte paqësore dhe të shmangte përshkallzimin e situatës.

Deklarata e mbrëmshme e ambasadës amerikane kishte mesazhe të shumëfishta, ndërsa nga njëra anë dënonte aktet e dhunës së vërejtura së fundmi e kërkonte që ushtruesit e dhunës të mbanin përgjegjësi, nga ana tjetër kërkoi të mbrohej integriteti i procesit zgjedhor. Lidhur me protestën e e mbrëmjes të kësaj të premteje, ambasada i drejtohej organizatorëve të saj “që të mbajnë përgjegjësi përballë parime të sundimit të ligjit, t’iu bëjnë thirrje publikisht mbështetësve të tyre të mblidhen paqësisht si dhe të refuzojnë energjikisht dhunën në çdo mundësi”.

Edhe Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë u shpreh “i shqetësuar nga episodet e fundit të dhunës që kanë ndodhur në disa rajone të vendit. Asnjë akt i dhunshëm apo formë e nxitjes për dhunë nuk mund të tolerohen në asnjë rrethanë”, thekson deklarata e shpërndarë pasdite. Ajo theksonte se “është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e liderëve të protestës për të siguruar që demonstrimet sonte të mbahen në mënyrë të sigurt si për pjesëmarrësit ashtu dhe për banorët Tiranës, si dhe për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave. Përdorimi i eksplozivëve apo i çdo sendi tjetër që mund të shkaktojë lëndime është krejtësisht i papranueshëm. Autoritetet e zbatimit të ligjit gjithashtu kanë përgjegjësinë që të vazhdojnë të veprojnë me përmbajtje, edhe nëse provokohen”.

Një natë më parë, në një ndërhyrje në emisionin Opinion në TV Klan, kryetari demokrat Lulzim Basha, ndërsa bëri thirrje qytetarëve që t’I bashkohen protestës, paralajmëroi se “nuk do të ketë absolutisht asgjë që të kërcënojë një fije floku të një qytetari apo të një punonjësi të ndershëm të rendit”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments