7.3 C
Tetovo
E enjte, 25 Prill, 2024
BallinaLajmeThaçi: Mesazhet nga Shtetet e Bashkuara të merren seriozisht

Thaçi: Mesazhet nga Shtetet e Bashkuara të merren seriozisht

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se kushdo që mendon t’i sfidojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara për interesa politike ditore është i gabuar.

Ai i bëri këto komente në një paraqitje për gazetarë pak pasi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzoi t’i përgjigjej ftesës së tij për një takim gjatë së mërkurës për të diskutuar, siç tha ai, “zhvillimet që janë dramatike dhe shqetësuese për politikën dhe për gjithë qytetarët e vendit, më tepër dramatike se çdo vit të këtyre 20 viteve të fundit”.

Kryeministri Kurti, refuzoi edhe të hënën të takohej me presidentin Thaçi, duke theksuar se si kryetar i lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka interes e as gatishmëri ta takojë presidentin aktual, ndërsa si kryeministër e ka detyrim dhe takimi mund të ndodhë në të ardhmen.
Presidenti Thaçi tha se do të ishte me interes që të gjithë të shpenzojnë energji për unitet dhe përafrim të hapave që duhet të ndërmerren.

“Kosova nuk është pronë e një individi dhe një grupi shoqëror e as politik, Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, është në përgjegjësinë e çdo lideri me përgjegjësi qytetare parlamentare, ne duhet të punojmë dhe të shkojmë përpara me qëndrime më unike dhe qëndrimi unik është forcimi i shtetit brenda, zhvillimi ekonomik, rritja e vendeve të punës, krijimi i mirëqenies së qytetarëve dhe ruajtja si sytë e ballit e partneritetit strategjik me partnerët perëndimor e në veçanti me adresën e kontributit madhor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me Shtetet e Bashkuara”.

Ai tha se kryeministri duhet të marr vendime që i takojnë e që janë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

“As vet liria, as shteti dhe as ekzistenca jonë nuk ka kuptim pa partneritetin tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi të gjithë dëshmitarë se orientimi dhe vetmja alternativë e jona është që të jemi pjesë e Bashkimit Evropian. Nuk kemi alternativë tjetër por edhe jemi dëshmitar që të tjerët mund të na lënë edhe në gjysmë të rrugës siç na kanë lënë shpesh në baltë, siç na kanë ndëshkuar me liberalizimin e vizave. E vetmja adresë dhe i vetmi partner strategjik që na ka qëndruar afër në kohët më të rënda edhe sot dhe me besim për të ardhmen kanë qenë dhe janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne duhet të prodhojmë argumente pozitive për të lehtësuar mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën dhe në asnjë rrethanë të prodhojmë argumente për kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës sepse këto relacione aktuale dhe këto mesazhe që vijnë dhe ky realitet që është krijuar realisht është një realitet duartrokitës për aktorët anti pavarësi dhe fërkim i duarve i të gjithë atyre që kanë pritur që Kosova të lëkund këtë raport. Por shpresoj se pavarësisht tekeve apo ideologjive anti amerikane të një individi në Kosovë, shtetin e Kosovës dhe popullin e Kosovës askush nuk do të mund ta luhat në rrugëtimin e vet euro-atlantik dhe partneritetin special dhe të përjetshëm dhe besimplotë me Shtetet e Bashkuara”.

Senatori amerikan, David Perdue, nxiti debate në Kosovë pas deklaratës se Shtetet e Bashkuara duhet të rishqyrtojnë praninë në Kosovë, nëse ajo nuk heq tarifat ndaj Serbisë, një qëndrim që u mbështet nga i dërguari amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe i biri i presidentit Trump.

Postimi i senatorit Perdue, i cili të mërkurën u mbështet edhe nga senatori Rand Paul, ngjalli reagime e shqetësime në Kosovë ku prania amerikane dhe përfshirja në proceset politike vlerësohen të pazëvendësueshme.

Kryeministri Kurti, tha të martën se nuk mendon që forcat amerikane duhet të tërhiqen nga Kosova.

„Përkundrazi dhe besoj që nuk do të tërhiqen nga Kosova. Kemi parë një dëshirë të djalit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirëpo kjo nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Nëse ajo dëshirë bëhet edhe vendim i presidentit amerikan sërish nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind, ka të bëj me një reduktim të trupave që SHBA ka bërë edhe në Afganistan edhe në Siri. Por po them, unë besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të qëndrojnë në të gjitha format e tyre shtetërore në Kosovë, me ambasadë, me ekonomi, me kulturë, me mbrojtje dhe jemi për partneritet dhe aleancë të fuqishme. Ne do ta heqim tarifën 100 për qind në mënyrë graduale duke e zëvendësuar me reciprocitet gradual. Jam i bindur që kjo është rruga e duhur përpara dhe qëndrimi më racional e më i dobishëm për vendin tone”, tha kryeministri Kurti.

Presidenti Thaçi, tha ndërkaq sot se “qëndrimet e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qoftë të kongresmenëve, qoftë të senatorëve, qoftë të njerëzve përreth presidentit Trump, nuk janë qëndrime individuale. Mendoj që ne duhet të jemi shumë koshient, shumë të përgjegjshëm dhe të mendojmë për sot dhe të ardhmen e gjeneratave të ardhshme, ndërkaq ne nuk duhet lejuar askënd edhe pse në pozicione të ndryshme, të sillet siç janë sjellë edhe kundër bombardimeve të NATO-s, edhe kundër vet presidentit Klinton, zonjës Allbright, presidentit Bush pastaj edhe presidentit Obama dhe zëvendëspresidentit Biden dhe tani përsëri kundër qëndrimeve të administratës të presidentit Trump”.

Ai e quajti “papjekuri, injorancë dhe mosdije totale e rrjedhave globale” të krahasohet ndërhyrja amerikane në Kosovë dhe prania e trupave amerikane në Kosovë me praninë amerikane në Afganistan apo në Irak.

Ai tha se Kosova beson në Shtetet e Bashkuara, “në përpjekjet gjigante të presidentit Trump, të një energjie dhe dinamike të jashtëzakonshme të ambasadorit (Richard) Grenell dhe gjithë administratës amerikane”, duke nënvizuar se “këto mesazhe janë shumë serioze, duhet të studiohen shumë seriozisht dhe nuk ka temë ditore të politikës elektorale në Kosovë që mund ta sfidojë partneritetin strategjik, të përjetshëm të qytetarëve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara”.

“Kush mendon me i sfidu raportet me SHBA-në për interesa politike ditore është i gabuar. Më lehtë çdo lider shkon në shtëpi vet, do të pensionohet para kohe se sa do të largohen trupat amerikane nga Kosova”, tha presidenti Thaçi./VOA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments