TCH / Grabitje me armë në Rinas. Policia ndjek dhe vret një nga katër grabitësit

0
102

Të mirinformuar se në atë orar 4 banka të nivelit të dytë do të transportonin një sasi të konsiderueshme valute drejt Austrisë, të armatosur me armë tip kallashnikov dhe të veshur me kostume kamuflazh, grabitësit kanë vënë në jetë planin e grabitjes.

Fillimisht kanë prerë derën në pjesën veriore të aeroportit, e cila shërben për hyrjen e zjarrfikësve. Me një furgon të bardhë me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” i janë afruar avionit.

Një burim nga grupi hetimit i tha Top Channel se grabitësit kanë hyrë me shpejtësi deri në brendësi të pistës e më pas kanë hipur tek hangari i avionit dhe kanë marrë thasët me para.

E gjithë grabitja u pa nga pasagjerët brenda në avion, të cilët kanë kujtuar se po ndodh një stërvitje policore.

Burime nga hetimi i kësaj ngjarjeje pohojnë se kompania që merret me sigurimin e aeroportit, ICTS Albania, ka pikasur grabitjen dhe ka njoftuar policinë.

Hyrja dhe dalja e grabitësve është fiksuar nga një kamer sigurie, filmimet e të cilës po analizohen nga grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit të Krimeve të Rënda, Ndini Tavani.

Policia e Shtetit thotë se ka patur shkëmbim zjarri mes Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe grabitësve. Njëri prej 4 grabitësve ka mbetur i vrarë. Ai është rreth moshës 35 vjeç, por nuk është identifikuar ende.

Në vendngjare policia ka gjetur disa armë kallashnikov si dhe disa granata ofensive.

Një tjetër furgon, thonë burimet policore, është gjetur i djegur në afërsi të Kamzës dhe besohet se është përdorur nga po të njëjtët grabitës si mjet largimi drejt Laçit ose Lezhës.

Një grabitje e ngjashme si kjo e pasdites të së martës ka ndodhur edhe në 30 Qershor 2016 me autor Admir Muratajn, në bashkëpunim me dy persona të tjerë.

Aeroporti “Nënë Tereza” supozohet të ketë një siguri maksimale, por për herë të dytë në harkun kohor të 3 viteve të fundit, ajo kompromentohet rëndë nga krimi i organizuar.

Top Channel

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here