11.8 C
Tetovo
E premte, 29 Mars, 2024
BallinaLajmeREL / Koronavirusi ndikon në rënien e të hyrave në buxhetin e...

REL / Koronavirusi ndikon në rënien e të hyrave në buxhetin e Maqedonisë së Veriut

Të hyrat në buxhetin e Maqedonisë së Veriut kanë rënë për 24 për qind edhe pse nga ministria e Financave thonë se kjo shifër është në kuadër të parashikimeve, teksa ekonomia e vendit po përballet me vështirësi për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Por, afaristët thonë se bizneset duhet të ndihmohen me para të gatshme, me qëllim që të vënë në lëvizje disa veprimtari të caktuara, sepse në të kundërtën, ata thonë se do ta kenë të vështirë që të kontribuojnë në arkën e shtetit përmes tatimeve.

Ministrja e Financave në Maqedoninë e Veriut, Nina Angellovska, ka deklaruar se 24 për qind më pak ka pasur të hyra gjatë muajit maj, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ajo ka bërë të ditur po ashtu se borxhi publik ka arritur në 60 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

Ministrja Angellovska ka shtuar se nëse pandemia e koronavirusit vazhdon me të njëjtën dinamikë, duke mbajtur të bllokuar ekonominë e vendit, nuk përjashtohet mundësia që për herë të dytë të ribalancohet buxheti i vendit.

“Koha do të dëshmojë nëse për gjë e tillë do të jetë e nevojshme”, ka thënë ajo.

Afaristët, ndërkaq, thonë se qeveria duhet të gjejë shpejt një modalitet që do të lejonte që ekonomia e vendit të vihej në lëvizje, pa kërcënuar shëndetin e qytetarëve, sepse në të kundërtën, humbjet në të hyrat buxhetore, do të jenë të mëdha.

Drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Drilon Iseni, thotë se shëndeti i qytetarëve është shumë me rëndësi, por edhe nga aspekti ekonomik, pasi siç thotë ai, qytetarët janë konsumatorët kryesorë edhe në aktivitetin ekonomik, pasi rreth 66 për qind e Bruto Prodhimit Vendor realizohet përmes konsumit.

“Me qëllim që të shpëtojë ekonomia dhe paralelisht të mbrohet shëndeti i qytetarëve, ne si Odë Ekonomike që në fillim të pandemisë kemi apeluar tek institucionet që masat e qeverisë të jenë specifike për sektorë të ndryshëm apo rajone të ndryshme, varësisht nga karakteristikat”.

“Vlerësimi ynë është se pas tre muajsh me pandemi, shteti në bashkëpunim me odat ekonomike, mund të bëjë një analizë konkrete mbi atë se ku është efekti më i madh, në cilët sektorë dhe industri, sepse masat ekonomike duhet të përshtaten varësisht nga rrethanat konkrete dhe vendet e caktuara. Mendojmë se është koha e fundit që qeveria të mendojë për një qasje të re dhe jo të vazhdohet me qasjen e vjetër, që masat të jenë të përgjithësuara për të gjitha sektorët dhe të gjitha qytetet e vendit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Në anën tjetër, virologu Nikolla Panovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se lehtësimi i masave të vendosura kundër koronavirusit, është një proces i pashmangshëm, megjithëse siç thotë ai, komunat që ende janë vatër e përhapjes së koronavirusit duhet të vazhdojnë të mbeten në karantinë, që të mos goditet ekonomia e përgjithshme e vendit, por edhe që njerëzit të vetëdijesohen që të respektojnë masat e vendosura nga autoritetet shëndetësore.

“Me lehtësimin e masave do të duhej të shkohej vetëm në ato komuna ku ka më pak se pesë raste aktive (me koronavirusi), kurse në ato komuna ku ka numër më të madh të të infektuarve, duhet të mbetet në fuqi ora policore, madje edhe izolim i plotë për rajonet që janë vatër e infeksionit. Duhet t’i jepet shans rimëkëmbjes ekonomike, ose më mirë thënë sanimit të dëmeve nga koronavirusi në ato komuna ku numri i të infektuarve është më i vogël”, thotë Panovski.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments