11.8 C
Tetovo
E premte, 29 Mars, 2024
BallinaLajmeProtestuesit anti-Vuçiq hyjnë në objektin e RTS-së

Protestuesit anti-Vuçiq hyjnë në objektin e RTS-së

Në protestën e radhës “Një nga pesë milionë”, qytetarët serbë pasi u mblodhën në platonë para fakultetit Filozofik në Beograd, u nisën për shëtitjen protestuese. Siç edhe paralajmëruan, ata bllokuan hyrjen në ndërtesën e Radio Televizionit të Serbisë, ndërsa një numër i protestuesve, nën drejtimin e liderit të Lëvizjes “Dveri”, Boshko Obradoviq, hynë në ambientet e shërbyesit publik.

Të pranishme ishin forcat policore të cilat nuk reaguan. Demonstruesit para RTS-së bllokuan të dy hyrjet e ndërtesës dhe thanë se do të qëndrojnë aty për dy orë, ndërsa organizuan edhe “Ditarin e Serbisë së lirë”.

“Hyrja e demonstruesve në ndërtesën e RTS-së paraqet kalimin e asaj linjës delikate e cila ndan shoqërinë nga anarkia e paligjshmëria”, ka thënë sot ministria e Kulturës dhe e Informacionit, e cila i bën thirrje grupit që ka hyrë në ndërtesën e RTS-së të tërhiqet, ndërsa mbështetësve të tyre u ka bërë thirrje për përmbajtje nga veprime të tilla, raporton Zëri i Amerikës në gjuhën serbe, transmeton Koha.net.

Edhe pse situata ishte e qetë gjatë protestës, policia është grupuar në disa prej pikave kyçe në qendër të Beogradit.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, u ka bërë thirrje qytetarëve që të tërhiqen nga ndërtesa e shërbyesit publik dhe ka thënë se forcat policore do t’i mbrojnë gazetarët e punësuar në RTS.

“Ka pasur dhunë në një formë të rëndë, shteti do të duhet të reagojë, kushdo që ka hyrë dhunshëm në RTS, ka kryer dhunë dhe ka shkelur ligjin, ashtu edhe do të përgjigjet”, ka thënë ministri serb.

Obradoviqi thotë se Dragan Bujosheviq ka refuzuar kërkesën që organizatorët të kyçen jashtë rendit në programin e RTS-së dhe ka kërkuar që protestuesit të qëndrojnë, njofton “N1TV”.

“Do të qëndrojmë këtu dhe nuk do të lejojmë që Aleksandar Vuçiqi për shtat vjet të gënjejë këtë popull. O gënjeshtar i madh, të ka ardhur fundi, nga sot nuk ka më gënjeshtra, nga sonte RTS-ja do të jetë sërish e lirë”, ka porositur Obradoviqi.

Obradoviqi më parë pati thënë se e ka lutur televizionin tre muaj që të paraqitet në program, por kjo nuk ka ndodhur. Ai tha se “nuk do të vjedhim e as do të shkatërrojmë”.

“Kërkojmë një gjë të vogël – përfshirje të jashtëzakonshme në program dhe që përfaqësuesi i organizatorëve të protestës të paraqitet në atë transmetim të jashtëzakonshëm, e jo politikanë apo deputetë”, tha lideri i lëvizjes “Dveri”. Ka thënë se pas kësaj do të largohet menjëherë, se vetë do të kontrollojë nëse kanë ikur të gjithë.

Në protestë pjesëmarrës ishte edhe nënkryetari i Partisë Popullore dhe dramaturgu Sinisha Kovaçqviq, i cili ka thënë se beogradasit jetojnë në ‘qytetin e çmendurisë’ ku Viti i Ri festohet nga gushti deri në mars.

“E vetmja zgjidhje për Kosovës është largimi i Vuçiqit”, tha ai.

Protestuesit po kërkojnë që televizioni publik serb t’u kushtojë pesë minuta në programet e tyre informative, që shërbimi publik të raportojë për opsionet e tyre politike dhe që drejtori i përgjithshëm i RTS-së, Dragan Bujosheviq dhe redaktori i programit informativ, Nenad L. Stefanoviq, të japin dorëheqje.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments