9.7 C
Tetovo
E enjte, 28 Mars, 2024
BallinaLajmeMinistri i Kulturës, Hysni Ismaili, në hapjen solemne të Edicionit të...

Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, në hapjen solemne të Edicionit të 19-të të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Ulqin, Mal të Zi.

Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, dje mori pjesë në hapjen solemne të Edicionit të 19-të të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Ulqin, Mal të Zi.

Në ceremoninë e hapjes, përveç organizatorit, kryetarit të Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, morën pjesë edhe ministri i Kulturës i Malit të Zi, Aleksandar Bogdanoviq dhe ministri i Turizmit dhe mjedisit të Shqipërisëi, Bledi Kosi.

Në fjalimin e tij para mysafirëve të pranishëm, ministri Ismaili theksoi se ky panair është një mundësi e shkëlqyer që botuesit, autorët dhe të gjithë pjesëmarrësit në një vend ta paraqesin veprimtarinë e tyre botuese dhe krijuese për qytetarët e Ulqinit, si dhe për turistët e shumtë që e vizitojnë qytetin në periudhën e verës.

– Ta organizosh gati për dy dekada Panairin Ndërkombëtar të Librit në Ulqin, kjo i bie që ta ndërtosh identitetin kulturor veror të këtij qyteti i cili paraqet frymëzim për artistët.

Ky është Ballkani pa kufij ose Ballkani europian, që e ëndërrojmë. Nëse na ndan gjeografia dhe historia, është kultura ajo që i kapërcen kufijtë, sepse gjuha e kulturës është përtej dallimeve gjeografike, politike, etnike e religjioze, tha Ismaili në fjalimin e tij.

Ai shtoi se arsimi dhe libri janë një investim për të ardhmen dhe për të krijuar një libër do të thotë të përcjellësh porosinë e autorit, një fragment të shpirtit të tij dhe energjinë që kurrë nuk shuhet.

Mysafirë të veçantë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Ulqin, ku këtë vit marrin pjesë 50 botues nga të gjitha vendet e rajonit, janë shkrimtarët Balsha Bërkoviq dhe Fatos Kongoli.

Panairi i 19-të i Librit në Ulqin, i cili realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi, Qendrës së Kulturës së Ulqinit në bashkëpunim me Komunën dhe Organizatën Turistike të këtij qyteti, si dhe me Institutin e Librit nga Tirana, do të zgjasë deri më 31 korrik.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments