15.4 C
Tetovo
E enjte, 28 Mars, 2024
BallinaLajmeLeyla Moses-Ones-E ngarkuara me punë e SHBA / Kina, Irani dhe Rusia...

Leyla Moses-Ones-E ngarkuara me punë e SHBA / Kina, Irani dhe Rusia duan ta përdorin Ballkanin Perëndimor e pastaj ta flakin tej!

E Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones ka dhënë disa mesazhe të rëndësishme në konferencën “Politika Amerikane në Ballkanin Perëndimor”, ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama.

Moses nëvizoi se “Shqipëria po punon shumë për reformën e drejtësisë, drejtuesit e Shqipërisë kanë zgjedhur të bëjnë kompromis për të mirën e përbashkët. Shqipëria ka respektuar premtimin në samitin e Uellsit”.

Por Moses ishte shumë e qartë kur deklaroi se: “Ka vende që t kërkojnë rrugë më të lehta përpara, si Kina, Irani dhe Rusia, ato duan ta përdorin Ballkanin perëndimor si mjet për qëllim, ska gjë idealiste në qëllimet e tyre, duan t’ju përdorin e pastaj të flakin. Kina prsh ka vënë në zbatim ekonominë debitore, Kremlini kërkon kaos, Irani ka shfrytëzuar burimet e tij diplomatike në Tiranë për të shkatërruar kundërshtarët e vet.
Por Shqipëria i ka treguar Kinës se disa gjëra thjesht nuk janë për shitje. Shqipëria ia ka dalë mbanë ndaj makinacioneve ruse”.

Më tej ajo tha se “Ne do e mbështesim Shqipërinë edhe kur të marrë kryesinë e OSBE”.

Fjalimi i plotë

I dashur Kryeministër Rama, Ambasador Shannon, Ambasador Soreca dhe Ambasador Zuzul, Z. Serwer, Profesor Doktor Angjeli,

është vërtet një nder të jem pjesë e kesaj konference. Jam ulur pranë një gjigandi të diplomacisë së Shteteve të Bashkuara dhe është nder i madh për mua që sot të ulem pranë ish NënSekretarit për Çështjet Politike Tom Shannon.

Të gjithë pranojmë se rendi global pas Luftës së Dytë Botërore po evoluon. Ndërsa karakatina e ndryshkur e Luftës së Ftohtë shpërbëhet, vendin e saj e ka zënë një garë globale për ndikim. Shtetet e Bashkuara e mirëpresin këtë mundësi për të garuar për ndikim pozitiv, sepse ne jemi besimplotë në vlerën e ofertave tona.

Është në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara, sigurisht, të promovojmë paqen, begatinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Po, interesi ynë është praktik, pjesërisht. Një gadishull ballkanik në paqe iu mundëson vendeve të rajonit të kontribuojnë për rritjen e sigurisë gjetkë në botë. Një ekonomi e lulëzuar e Ballkanit siguron tregje për bizneset amerikane. Dhe qetësia e brendshme në Ballkan lejon hartuesit e politikave amerikane që të përqëndrojnë kohën dhe burimet e tyre në kriza që ndikojnë rajone të tjera.

Por, politika e Sh.B.A. në Ballkanin Perëndimor parashikon shumë më tepër se sa kaq. Që nga viti 1789, pjesë e interesave tona thelbësore ka qenë të bëjmë avokatin për lirinë dhe barazinë e të tjerëve – siç tha Presidenti Abraham Linkoln, kombi ynë është krijuar në liri dhe i përkushtohet premisës që të gjithë jemi krijuar të barabartë. Ndjekja e interesit të Sh.B.A. domosdoshmërisht përfshin të përkrahurit dhe të vepruarit në emër të idealeve tona. Ne duam që edhe ju të jeni të lirë dhe të barabartë.

Është e vërtetë – rruga që ne ofrojmë është e vështirë. Është e shtruar me standarde, pritshmëri dhe punë të palodhur, por që do të çojë drejt një Ballkani Perëndimor të lulëzuar, të qëndrueshëm, njerëzit e të cilit janë krenarë për nga vijnë dhe çfarë përfaqësojnë.

Ndërsa shqyrtoj prioritetet e politikës së Shteteve të Bashkuara për rajonin, do të përqendrohem në politikën e Sh.B.A-së ndaj Shqipërisë, një vend me një angazhim të demonstruar ndaj bashkësisë transatlantike. Ajo që bëni dhe zgjedhjet që ndërmerrni kanë pasoja të mëdha për bashkësinë euro-atlantike. Më lejoni t’ju them se si.

Po, deklarata e 18 tetorit e Këshillit të Evropës për zgjerimin ka frymëzuar faqe të tëra komentesh. Ja se çfarë ka rëndësi: Shqipëria është tashmë një vend kandidat – kjo nuk ka ndryshuar. Puna që po tashmë po vazhdon dhe ajo çfarë mbetet për t’u bërë nuk ka ndryshuar. Shqipëria do të fitojë vendin e saj në radhët e shteteve anëtare të BE-së duke dyfishuar përpjekjet për zbatimin e reformave në drejtësi, fshirë korrupsionin dhe fitoren mbi plagën e krimit të organizuar. Kjo ka të bëjë me vlerat; kjo ka të bëjë me sundimin e ligjit; kjo ka të bëjë me begatinë dhe mundësinë për qytetarët shqiptarë.

Shqipëria jo vetëm që po punon shumë për reformën në drejtësi, por tashmë reforma zgjedhore është bërë një projekt kombëtar që qeveria, opozita parlamentare dhe partitë opozitare jashtë tij, po e ndjekin. Drejtuesit e Shqipërisë kanë treguar vullnetin për të bërë kompromis për hir të së mirës të përbashkët.

E mira e përbashkët kërkon një mbrojtje të përbashkët – sigurisht, kjo është premisa e NATO-s. Presim me kënaqësi të mirëpresm Maqedoninë e Veriut së shpejti si aleatja e saj e tridhjetë.  Aleanca po evoluon gjithashtu, pasi siguria e mëparshme e Evropës, e subvencionuar nga Sh.B.A., transformohet në një përpjekje të përbashkët për të cilën kontribuojmë të gjithë. Dhe Shqipëria ka përmbushur angazhimin e saj. Shqipëria ka respektuar Premtimin në Samitin e Uellsit. Shqipëria kontribuon më shumë trupa për frymë se pothuajse të gjitha vendet e tjera evropiane. Dhe shqiptarët kanë dhënë jetën e tyre në shërbim të mbrojtjes sonë të përbashkët.

Ekzistojnë vende të tjera që kërkojnë rrugë më të lehta përpara. Në frymën e konferencës së sotme, shqyrtojini ofertat e tyre përpara se t’i pranoni ato. Do të zbuloni që, për Rusinë, Iranin, Kinën, Ballkani Perëndimor është një mjet për një qëllim, një burim nga i cili mund të shfrytëzohet dhe pastaj të flaket tej. Nuk ka asgjë idealiste në qëllimet e tyre. Ata gjithashtu kërkojnë të minojnë modelin perëndimor të vetëqeverisjes që çmon lirinë dhe zgjedhjen me oligarkitë e korruptuara të cilat janë të divorcuara prej interesit të njerëzve të cilëve supozohet t’iu shërbejë qeveria.

Kina ka vënë në zbatim diplomacinë shtrënguese të debitorit për të blerë një ndikim që i pret fuqitë forcës ekonomike dhe gjymton autonominë politike të të ashtuquajturve partnerë të saj. Kremlini këmbëngul të mos eksportojë asgjë tjetër përveç kaosit, ndërsa kërkon të rikuperojë humbjet sovjetike nga Lufta e Ftohtë. Irani ka shfrytëzuar praninë e tij diplomatike në Tiranë për të planifikuar shkatërrimin e kundërshtarëve të tij politikë, duke kërkuar t’i përgjigjet argumenteve të arsyes me burracakërinë e detonatorëve të fshehur.

Shqipëria ia ka bërë të qartë Kinës se disa gjëra thjesht nuk janë për shitje. Shqipëria ka refuzuar makinacionet ruse.. Dhe, Shqipëria ka treguar që nuk do të tolerojë terroristë iranianë në tokën e saj. Shqipëria ka zgjedhur, sërish dhe përsëri, të mbajë qëndrime parimore.

Vitin tjetër, Shqipëria do të marrë kryesimin e Zyrës së OSBE-së, duke udhëhequr një organizatë që gjithashtu mban qëndrime parimore. Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë besnike ndaj Shqipërisë teksa ajo përdor vlerat frymëzuese dhe zyrën e respektuar të OSBE-së për të trajtuar çështje dhe kriza të mprehta. Shtetet e Bashkuara mirëpresin prioritet e përcaktuara nga Shqipëria – përfshirë luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, përkrahjen e rolit të grave në zgjidhjen e konflikteve, rininë dhe kontrollin e armëve – dhe presim me kënaqësi të punojnë me Shqipërinë gjatë kryesimit të OSBE-së në vitin 2020.

Sigurisht siguria energjetike mbetet thelbësore për suksesin e bashkësisë transatlantike. Që nga hidrocentralet te gazi natyror i lëngshëm, nga nafta deri te energjia diellore, Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor mund të formojnë bërthamën e një strategjie energjetike të larmishme për të furnizuar botën perëndimore, ndërsa korrin përfitimet prej  vendndodhjes së tyre gjeostrategjike.

Dhe, përsa i përket vendndodhjes gjeostrategjike, ju e dini se revolucioni 5G po vjen: ndërlidhja e rrjeteve 4G të Shqipërisë së shpejti do të përmirësohet; ndërlidhja e vendit të saj gjeostrategjik në hartë është e rëndësishme sepse ka vende si Kina që do të dëshironin të kapnin mënyrën e jetesës dixhitale të Ballkanit Perëndimor për të thithur informacione prej tyre dhe asfiksuar rrjetet e aleatëve të Sh.B.A-së. Shqipëria tashmë po bën gjënë e duhur duke ushtruar vigjilencë në mbrotje të rrjeteve të saj. Edhe një herë, disa gjëra në Shqipëri thjesht nuk janë për shitje.

Shqipëria ka ndërmarrë gjithashtu një qëndrim parimor për një çështje tjetër rajonale me rëndësi të madhe për Shtetet e Bashkuara: dialogu i lehtësuar nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shtetet e Bashkuara kanë dyfishuar gjithashtu përpjekjet e tyre për t’u siguruar që dialogu të rifillojë, ashtu si u nënvizua edhe nga profesorët, përmes emërimeve të fundit të të Dërguarve të posaçëm në rajon. Vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka bërë thirrje që udhëheqësit e të dy vendeve të ecin përpra drejt një të ardhmeje të përbashkët, të begatë dhe të paqtë. Shqipëria gjithashtu e sheh qartë këtë të ardhme dhe bashkohet me Shtetet e Bashkuara në mbështetjen e saj për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Shtetet e Bashkura u angazhuan për sovranitetin shqiptar në vitin 1912 – më shumë se një shekull më parë – dhe angazhimi ynë është i paepur. Rruga amerikane është e vështirë, por ia vlen, pasi ofrojmë një partneritet të bazuar në vlera të qëndrueshme – midis tyre lirinë e fjalës, lirinë e fesë, mundësi të barabartë, baraza, liri individuale dhe liri qytetare.

Kjo është një kohë e jashtëzakonshme për Ballkanin Perëndimor. Jemi me fat që kemi këtë mundësi për të ndihmuar në dhënien formë të ardhmes duke mbështetur udhëheqësit e rajonit në formimin e qeverive të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit.

E vlerësoj mundësinë që më dhatë për të folur sot. Shumë faleminderit!

Top Channel

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments