11.1 C
Tetovo
E enjte, 28 Mars, 2024
BallinaLajmeBotaKombësitë kineze me më pak se 100 mijë veta ( pjesa 1...

Kombësitë kineze me më pak se 100 mijë veta ( pjesa 1 )

Kombësia uzbeke ka një popullsi prej më shumë se 10 000 vetash, që jetojnë kryesisht në Rajonin Autonom Xinjiang-Ujgur. Shumica e tyre jetojnë në qytete e qyteza dhe pak në zonat rurale. Gjuha uzbeke i përket familjes së gjuhëve altaike.

Duke jetuar përgjatë Rrugës së Mëndafshit, uzbekët merreshin kryesisht me tregti deri në dinastinë Qing (1644 – 1911). Që nga themelimi i Kinës së Re në 1949-n, ata kanë ushtruar kryesisht zejtarinë dhe blegtorinë.

Uzbekët besojnë në fenë islame dhe një gjë e tillë pasqyrohet në ushqimin, veshjen dhe kulturën e tyre, të ngjashme me ato të ujgurëve dhe tatarëve.koha.net

Ushqimi kryesor i uzbekëve është një lloj buke e quajtur nang, si edhe çaji i qumështit, mishi i kalit, i deles dhe i lopës.

Festa të rëndësishme të pakicës kombëtare uzbeke të Kinës janë Festa Kaizhai dhe Festa e Kurbanit. Duke qenë se janë këngëtarë dhe valltarë të lindur, uzbekët argëtohen shumë gjatë ditëve të festave, duke shprehur ndjenjat e tyre me anë të muzikës dhe kërcimit.

Kombësia menba

Kombësia menba, e njohur edhe si monba, ka më shumë se 10 mijë veta, të cilët jetojnë kryesisht në verilindje të Rajonit Autonom të Xizang-ut (Tibetit). Duke qenë se menba-të kanë jetuar për një kohë të gjatë me tibetianët, traditat, zakonet dhe mënyra e jetesës e këtyre dy kombësive janë të ngjashme.

Kombësia menba ka gjuhën e vet, që përfshihet në degën e gjuhëve tibetiane-burmeze të familjes gjuhësore sino-tibetiane dhe shkruhet me alfabet tibetian.

Banorët e kombësisë menba besojnë në budizmin tibetian.

Zona ku banojnë pjesëtarët e kësaj kombësie është e pasur me burime natyrore, ku rriten shumë bimë mjekësore, pemë e kafshë të rralla.

Ushqimet kryesore të tyre janë orizi, misri dhe hikrra.

Menba-të janë shumë të aftë në thurjen me bambu. Enët prej druri kanë qenë për një kohë të gjatë krenaria e tyre. Ato nuk shërbejnë vetëm për ushqimet, por janë edhe vepra arti që u jepen si dhuratë vizitorëve.

Festa kryesore e banorëve të kombësisë menba është Viti i Ri Tibetian.

Kombësia elunchun

Kombësia elunchun, e njohur edhe si oroqen, është një nga kombësitë më të vogla kineze. Në kohën e themelimit të Kinës së Re, popullsia e saj ishte vetëm pak më shumë se një mijë veta, ndërsa në dhjetëvjeçarët e fundit është rritur me shpejtësi dhe tani ka më shumë se 8 600 banorë. Këta banorë jetojnë kryesisht në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme dhe provincën verilindore Heilongjiang.

Kombësia elunchun ka gjuhën e vet, e cila i përket familjes së gjuhëve altaike, por nuk ekziston në formën e shkuar.

Për sa i përket besimit fetar, pjesëtarët e kombësisë elunchun besojnë në lloj shamanizmi, domethënë te fuqia e natyrës, paraardhësve e totemeve. Ata kanë shumë zota, si ai i diellit, i hënës, i zjarrit, i erës, i malit etj. Elunchun-ët adhurojnë edhe ariun e tigrin.

Pjesëtarët e kësaj kombësie shquhen edhe për zejtari, sidomos për prodhimin e enëve me kocka, dru dhe hekur. Edhe folklori i tyre gojor dhe muzikor është i pasur.

Elunchun-ët kremtojnë kryesisht festat e kombësisë hane, si Festa e Pranverës, Festa e Barkës së Dragoit dhe Festa e Mesvjeshtës.

Kombësia dulong

Kombësia dulong, me një popullsi prej gati 7 000 vetash, është pakica kombëtare me e vogël në provincën Yunnan. Ata jetojnë në një zonë të veçuar në një lartësi 3 800 metra, e cila ka burime të pasura natyrore.

Pjesëtarët e kombësisë dulong kanë gjuhën e vet, që i përket degës së tibetiane-burmeze të familjes së gjuhëve sino-tibetiane, por ata nuk kanë shkrime, dhe në të kaluarën e regjistronin dhe e transmetonin informacionin kryesisht nëpërmjet gdhendjes në dru.

Për sa i përket ushqimit, dulong-ët hanë kryesisht barishte të egra, vezë zogjsh, kërpudha dhe mish.

Në zejtari, banorët e kombësisë dulong janë të njohur për prodhimin e qilimave karakteristikë.

Festa kryerore e tyre është Kaquewa, që bie zakonisht në muajin e fundit sipas kalendarit hënor. Gjatë kësaj feste ata hanë dhe pinë verë për disa ditë me radhë.

De’ang është një nga kombësitë me popullsi të vogël të Kinës, me pak më shumë se 20 000 veta, dhe është e përqendruar kryesisht në kontetë Luxi dhe Zhenkang të provincës Yunnan të Kinës Jugore.

Kombësia deang ka gjuhën e vet, e cila ekziston vetëm në trajtë të folur dhe është e ndarë në tre dialekte.

Banorët e kombësisë deang besojnë në budizmin theravada, i njohur edhe si budizmi lindor.

De’ang-ët janë zejtarë të shquar, veçanërisht në prodhimin e argjendarive, ndërsa gratë janë të afta edhe në tjerrje, ngjyrojse dhe endje.

Ushqimi i tyre bazë është orizi, i plotësuar nga misri, gruri dhe perimet. Ata po ashtu rritin çaj dhe krenohen me kulturën e tyre të veçantë të çajit. Përveçse me bujqësi, pjesëtarët e kombësisë de’ang merren me peshkim e gjueti.

Për sa u përket festave, më kryesoret janë Festa e Spërkatjes me Ujë dhe Festa e Hapjes dhe e Mbylljes së Dyerve.

Kombësia baoan

Kombësia baoan është një nga më të voglat në Kinë, prej pak më shumë se 20 mijë vetash. Shumica e tyre jetojnë në kontetë Baoshan, Dongxiang e Salar, rrëzë malit Jishi të provincës Gansu në Kinën Veriperëndimore. Banorë të kësaj kombësie jetojnë edhe në provincën Qinghai dhe rajonin e Xinjiang-ut.

Gjuha baoan i përket degës së gjuhëve mongole të familjes gjuhësore altaike.

Pjesëtarët e kombësisë baoan merren kryesisht me kultivimin e elbit, grurit dhe misrit. Ata hanë vetëm mish lope e deleje dhe nuk pranojnë të hanë kafshë joripërtypëse ose nënprodukte të tyre. Ata kanë po ashtu të zhvilluar zejtarinë, veçanërisht prodhimin e thikave prej bronzi, bakri apo kocke. Gratë e kësaj kombësie merren me artin e letërprerjes dhe të gdhendjes së motiveve me lule në orendi ose takëmet e ngrënies.

Për sa u përket këngëve dhe valleve që krijojnë, këndojnë e kërcejnë baoan-ët, ato janë të ngjashme me të tibetianëve. Burrat luajnë zakonisht vegla me tela ose frymore.

Banorët e kësaj kombësie besojnë kryesisht në islam, prandaj edhe festat kryesore të tyre janë ato fetare: Bajrami i Madh dhe Kurban Bajrami.

Kombësia ruse

Në Kinë ka më shumë se 15 000 pjesëtarë të kombësisë ruse, të cilët jetojnë kryesisht në rajonet autonome të Xinjiang-Ujgurit e Mongolisë së Brendshme, në provincën verilindore Heilongjiang dhe në Pekin. Midis tyre, Rajoni Autonom i Xinjiang-Ujgurit ka numrin më të madh të pjesëtarëve të kombësisë ruse të Kinës.

Pjesëtarët e pakicës kombëtare ruse të Kinës janë pasardhës të rusëve që emigruan në Kinë në shekullin e 18-të.

Gjuha ruse i përket degës së gjuhëve sllave të familjes gjuhësore indoevropiane. Megjithatë, shumica e pjesëtarëve të kombësisë ruse të Kinës flasin edhe gjuhën standarde kineze.

Për sa u përket ushqimeve, dieta e tyre përbëhet kryesisht nga ushqimet me bazë brumërat, duke përfshirë llojet e ndryshme të bukës e të byrekëve, si edhe perimet e gjalla. Sa u përket pijeve, më të pëlqyerat prej tyre janë ato alkoolike.

Pjesëtarët e kombësisë ruse besojnë në fenë ortodokse dhe festat kryesore të tyre janë ato fetare, Krishlindjet dhe Pashkët.

Pjesëtarët e kombësisë ruse të Kinës shquhen në këndim e vallëzim. Këngët ata zakonisht i shoqërojnë me fizarmonikë dhe balalajkë, një instrument muzikor tradicional me tre tela.

Kombësia yugur-e

Kombësia yugur-e ose yugu ka më shumë se 14 mijë banorë. Ata jetojnë kryesisht në kontenë autonome yugur-e Sunan në provincën Gansu të Kinës Veriperëndimore, në malin Qilian. Kullotat e këtij mali janë shumë të bukura e gjithashtu janë vendi ku banorët e kësaj kombësie, që është një kombësi kryesisht blegtore, ushqejnë bagëtitë e tyre. Yugur-ët janë popullsi nomade.

Banorët e kombësisë yugur-e kanë gjuhën e tyre, që bën pjesë në degën turkike të familjes gjuhësore altaike, por nuk kanë një alfabet të vetin.

Kombësia yugur-e beson kryesisht në lamaizëm.

Gratë e kombësisë yugur-e janë endëse dhe qëndistare të zonja.

Yugur-ët kanë një folklor të pasur, dhe kanë krijuar e ruajtur plot legjenda, përralla, balada etj.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments