6.8 C
Tetovo
E enjte, 25 Prill, 2024
BallinaOpinionBinas Pajaziti / Rikonstruimi si folklor

Binas Pajaziti / Rikonstruimi si folklor

Nga Binas PAJAZITI

Binas Pajaziti's Profile Photo, Image may contain: 1 person, standing and outdoor

I ashtuquajturi rikonstruim i qeverisë, gjegjësisht “fshesa Zaev” është vetëm një episod tjetër nga seriali folklorik i premtimeve boshe të kryeministrit Zoran Zaev dhe të partnerit të tij koalicionues, BDI-së. Kudo në Evropë, qeveritë (pa marr parasysh se a janë koalicione partish, ose një parti) kanë karakter kryesisht politik dhe programor, përveç te ne ku qeveritë janë të ndara në vija partiake dhe etnike. Ashtu është edhe qeveria e tanishme e Zoran Zaevit.

Ajo që i mban bashkë para së gjithash është korrupsioni dhe nepotizmi, natyrisht i ndarë në tajfat e tyre të interesit. Dhe ashtu, brenda natës në kompanitë më të mira shtetërore i punësuan djemtë dhe vajzat, vëllezërit dhe motrat, anëtarë dhe familjarë të tjerë në funksione të larta shtetërore dhe më pas edhe sipas meritave partiake dhe klientelizmit. Normalisht më interesant dhe më tërheqës për partnerët aktualë të koalicionit është buxheti, sepse prej aty fillojnë të gjitha gjërat e mëdha korruptive.

Prandaj, në vend që të kemi rikonstruim të qeverisë, ne patëm një folklor politik Ballkanik, për ta defokusuar opinionin nga ajo që na ndodhi në Bruksel… d.m.th mosdhënia e datës. Pse nuk kemi një datë për fillimin e negociatave? Në mënyrë shumë të hapur dhe të qartë na e tha Franca, Holanda, Danimarka dhe Gjermania, se kjo qeveri nuk ka bërë asgjë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ka ngecur me reformimin e gjyqësorit, me departizimin dhe forcimin e administratës publike, gjegjësisht në zbatimin e atyre standardeve dhe vlerave themelore mbi të cilat bazohet Bashkimi Europian dhe çdo shtet demokratik. Sa për të kujtuar këto standarde përfshijnë dy fusha të mëdha. E para është respektimi i vazhdueshëm i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe e dyta është sundimi i ligjit dhe shteti ligjor funksional. Çdo qytetar, pavarësisht nga përkatësia etnike apo gjinore, për çdo ditë e ndjenë në shpinën e tij se sa pak këto standarde po përmbushen në jetën e përditshme.

“Pa drejtësi, s’ka qetësi” ishte motoja nën të cilën mijëra qytetarë maqedonas, shqiptarë, turq, sërb, rom etj. dolën rrugëve  të qytetit për të protestuar dhe ishin më meritorët për rënien e regjimit të Gruevskit dhe Ahmetit. Për fat të keq, pas kaq vitesh qeverisjeje edhe ky koalicion LSDM-BDI ka filluar ti përsëris aferat e njëjta korruptive dhe në vend të drejtësisë kemi padrejtësi, gjegjësisht drejtësi selektive. BDI dhe udhëheqësia e saj duket sikur janë të paprekshëm edhe pse në bombat që i shpalosi Zoran Zaev si udhëheqës i LSDM dhe sot ne i dëgjojmë përmes rrjeteve sociale nëpërmjet profilit të El Cheka, ka indikacione shumë të qarta për përfshirjen e funksionarëve të kësaj partie në korrupsion dhe krim. Në të vërtetë, secili prej nesh pyet: A ka guxim kryeministri Zaev t’i pastrojë krimet e BDI-së ose thjesht ka frikë të ndërmarr hapa të tillë se posti i tij si kryeministër varet nga votat e BDI-së.

Me këtë rast dua edhe një herë të rikujtoj se Lëvizja BESA edhe gjatë zgjedhjeve parlamentare qartë e ka shprehur qëndrimin e saj se nuk do të jetë tolerante ndaj korrupcionit dhe krimit të organizuar dhe se do të përkrah çdo propozim ligj i cili çon në forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, si dhe çdo vendim të qeverisë që çon në integrimin euroatlantik.

Në këtë mandat si parti opozitare, bashkë me partinë tjetër opozitare të bllokut politik shqiptar е mbështetëm marrëveshjen e Prespës, e cila na i hapi dyert për në NATO. I mbështetëm të gjitha ato ligje që ishin pjesë e reformave. Por, ne si opozitë, këtu mendoj për gjithë opozitën parlamentare, nuk i kemi instrumentet që i ka qeveria dhe shumica parlamentare për zbatimin e këtyre ligjeve dhe reformave. Prandaj, në vend që të jemi të zemëruar me Francën, Gjermaninë, Holandën dhe Brukselin duhet të kthehemi kah Zaevi dhe Ahmeti, respektivisht LSDM dhe BDI, të cilët për dy vite në pushtet, ndërsa BDI 15 vjet në pushtet, na sollën në një pozicion të pa shpresë, të apatisë dhe migrimit masiv kryesisht të të rinjëve nga shteti.

Ashtu siç theksova në fillim, rikonstruimi i fundit i Qeverisë nuk është gjë tjetër veçse një folklor, i cili nuk ka asgjë me tendencat e sotme moderne të ushtrimit të pushtetit, zbatimin e demokracisë parlamentare, respektimin dhe zhvillimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Lëvizja BESA do të vazhdojë të ndjekë politikën e saj parimore mbi çështjet që lidhen me realizimin e të drejtave të shqiptarëve dhe gjithë të tjerëve, si dhe çështjet që lidhen me perspektivën tonë euroatlantike. Ashtu si edhe më parë, nuk do të kalkulojmë me interesa fitimprurëse, apo interesa tjetra që janë në kundërshtim me parimet demokratike dhe sundimin e ligjit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments