8.8 C
Tetovo
E enjte, 25 Prill, 2024
BallinaLajme“Alternativa” me përkrahje për grevën e punonjësve të arsimit

“Alternativa” me përkrahje për grevën e punonjësve të arsimit

Shkup, 2 shtator 2019

Me rastin e fillimit të vitit shkollor, ALTERNATIVA të gjithë shkollarëve u uron një vit të mbarë dhe të suksesshëm, në veçanti fëmijëve që për herë të parë hyjnë në mjediset shkollore. Megjithatë, si në çdo fillimviti shkollor, edhe në këtë vit nuk mund të mos e shprehim keqardhjen tonë që akoma ka shkolla ku mësimi nuk realizohet në gjuhën amtare dhe ku mungojnë kushtet elementare dhe bashkëkohore për arsim cilësor, ndërsa – për fat të keq – edhe gjendja e punonjësve të arsimit lë shumë për të dëshiruar.

Me këtë rast, ALTERNATIVA deklaron se e mbështet grevën dhe kërkesat e punonjësve të arsimit e shkencës dhe, pavarësisht pozicionimit tonë politik, konsideron se një shoqëri dhe një shtet që nuk kujdeset për arsimtarët, ajo dëshmon se nuk ka ndjeshmëri për të ardhmen e vet. Ne besojmë thellë se arsimi është strumbullar i zhvillimit të një kombi dhe një shteti. Vërtet është për t’u përshëndetur vendimi i qeverisë për rritjen e rrogave prej 5%, por ky është një avancim simbolik në krahasim me detyrimet që ne duhet t’i kemi ndaj arsimtarëve.

Punonjësit e arsimit dhe shkencës duhet ta gëzojnë dinjitetin më të lartë në shoqëri dhe të jenë të barabartë me kolegët e tyre të shteteve evropiane dhe për këtë nuk duhet të ketë asnjë kompromis. Nuk mund të ketë reforma në arsim me arsimtarë që jetojnë në prag të varfërisë.

Nisur nga kjo, duke qëndruar në anën e punonjësve të arsimit dhe shkencës, ne e mbështesim grevën e tyre dhe njëherazi do të jemi shtysë e kërkesave legjitime të tyre në qeveri.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments