8.5 C
Tetovo
E enjte, 25 Prill, 2024
BallinaOpinionAbdulla Mehmeti: Vendosja e shqiptarëve mes alternativave të gabuara nuk mund të...

Abdulla Mehmeti: Vendosja e shqiptarëve mes alternativave të gabuara nuk mund të sigurojë ndryshime, progres dhe ardhmëri

Demokracia e rrejshme, tranzicioni dhe sistemi shumëpartiak përplasës dhe jo bashkëpunues, të kontrolluara nga jashtë, qofshin ëndrra e fundit e keqe për shqiptarët!

Periudha e transformimit demokratik dhe tranzicionit në shoqërinë shqiptare, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe në tërë hapësirën etnike shqiptare, nuk ka dështuar pse shqiptarët kanë qenë të lidhur shpirtërisht me ish regjimin komunist, as pse nuk janë të gatshëm dhe të aftë për ndryshime, por nga mungesa e vigjilencës së organeve të sigurisë kombëtare dhe të elitave intelektuale për parandalimin e ndërhyrjeve nga jashtë, nga armiqtë tradicionalë të popullit shqiptar.

Planet, projektet, platformat, elaboratet dhe strategjitë armiqësore ndaj shqiptarëve nuk flenë vetëm në arkivat dhe bibliotekat e Serbisë, Rusisë, Greqisë dhe shteteve të tjera me synime ekspansioniste dhe armiqësore ndaj shqiptarëve, por ato janë pjesë aktive në tavolinat e punës dhe operacionet e përditshme të organeve të pushtetit, të qendrave strategjike dhe diplomacive të këtyre shteteve.

Gjatë kësaj periudhe tridhjetëvjeçare strategjia e këtyre qarqeve shoviniste, ekspansioniste dhe armiqësore ndaj shqiptarëve i ka ndryshuar, modifikuar dhe sofistikuar metodat e punës dhe veprimit, duke i goditur shqiptarët në pjesët më të ndjeshme të qenies së tyre kombëtare, duke e shfrytëzuar varfërinë, ndarjen dhe antagonizmat klasorë, përçarjen mbi baza ideologjike dhe dallimet në besime fetare.

Fatkeqësia më e madhe nga e gjithë kjo strategji u ka ardhur shqiptarëve nga ndikimet e jashtme duke ua imponuar rrugën më të gabueshme të transformimit të pushtetit përmes sistemit shumëpartiak pa kontroll dhe kritere, duke i vënë shqiptarët para dy ose më tepër alternativave, shpeshherë të gjitha të gabueshme, që kurrë shqiptarët të mos jenë me një qëndrim dhe në drejtimin e duhur, për zhvillimin e përparimin e kombit dhe shteteve të tyre, ndërsa në viset nën sundime të huaja të mos shndërrohen në faktor për marrjen e fatit të tyre në duart e veta.

Të ndodhur mes kudhrës dhe çekanit, shumica e shqiptarëve nuk kanë mundur të sigurojnë rrugë tjetër përveç braktisjes së vendit dhe largimit në botën e jashme. Kjo përbën tragjedinë më të madhe të popullit shqiptar në fundshekullin e kaluar dhe fillimshekullin e ri, një tragjedi dhe fatkeqësi që nuk ka arritur t’ua imponojë shqiptarëve asnjë regjim, sundues, pushtues dhe akupator i huaj në të kaluarën.

Kjo është demokracia e dështuar, tipike e modelit shqiptar, ky është pluralizmi dhe tranzicioni i pakontrolluar nga brenda, nga vetë shqiptarët, por nga jashtë. Rruga e ndryshimit të madh për shqiptarët duhet të fillojë diku, të përfundojë sa më parë dhe me sukses. Kjo që u ndodhi shqiptarëve në tri dekadat e kaluara ka qenë vetëm një mashtrim. Qoftë ëndrra e fundit e keqe për shqiptarët!

Shembujt dhe argumentet e veçantë për situatën politike dhe gjendjen aktuale të popullit shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Sanxhaku i Pazarit të Ri, Lugina e Preshevës, Çamëri dhe gjetiu ku jetojnë shqiptarët në trojet e veta etnike, do të ishin të tepërt në këtë rast.

Sa për ilustrim, le të analizojmë dhe mendojmë pak se cila do të ishte alternativa për shqiptarët në Maqedoni, zgjedhja dhe zgjidhja, ndryshimi që duhet t’i besojnë dhe ta presin ata, nëse përcaktohen për njërën nga alternativat politike që u ofrohen aktualisht shqiptarëve në këtë shtet, mes: 1. Mbeturinave të ish regjimit komunist jugosllav; 2. Maksistë-leninistëve, të organizuar, frymëzuar dhe financuar nga shërbimet sekrete sllave; 3. Pasuesit e neootomanizmit, të islamizmit të rrejshëm politik, të ashtuquajtur “islamizëm socialist”, model i importuar nga Irani dhe disa shtete arabe, satelitë të Rusisë; 4. Klanet kriminale dhe mafioze të kontrolluara nga hajdutët e sigurimit shtetëror, të tipit të maniakut Mijallkov.

Ndryshimi ka gjasa, duhet të vijë dhe mund të vijë, jo kështu, por NDRYSHE!

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments