15.4 C
Tetovo
E enjte, 28 Mars, 2024
BallinaOpinionAbdulla Mehmeti / PSE POLITIKANËT THIRREN NË ATDHETARIZËM PËR PUNËT QË I...

Abdulla Mehmeti / PSE POLITIKANËT THIRREN NË ATDHETARIZËM PËR PUNËT QË I PAGUAN PUSHTETI?

Pse duhet të ndjehen më atdhetarë ata që përfitojnë nga zgjedhjet presidenciale, ndërsa qytetarëve të cilët votojnë sipas bindjeve të tyre të lira dhe pa pagesë, t’u shitet moral dhe atdhetarizëm?!

Në fushatën e zgjedhjeve për kryetar shteti të Maqedonisë Veriore, secili kandidat, përfaqësues i partive politike, medium i paguar për fushatë të ndonjërit nga kandidatët, përkrahës apo simpatizues, ka të drejtë të agjitojë, të zhvillojë fushatë në cilëndo mënyrë që vlerëson se mund t’i sjell dobi dhe më tepër vota kandidatit të tij të preferuar, t’u bëjë thirrje qytetarëve ta votojnë njërin nga kandidatët, kandidatin e tij të preferuar, por në asnjë mënyrë nuk duhet të keqpërdoret kjo fushatë, qytetarëve t’u cënohet privatësia, t’u cënohen ndjenjat kombëtare, duke identifikuar përkatësinë partiake, çfarëdo përkatësie tjetër dhe simpatie personale apo grupore duke e paraqitur atë rrejshëm si kauzë kombëtare, për aq më tepër, askush nuk ka të drejtë t’i lëndojë qytetarët në nderin, dinjitetin dhe krenarinë e tyre kombëtare, në stilin siç kanë filluar të veprojnë disa folës në tubimet e para të kësaj fushate për zgjedhjet presidenciale.

Thirrjet në stilin: „ai që e ndjen veten shqiptar duhet ta votojë X apo Y kandidatin”, janë tepër të vrazhda, jodemokratike, johumane dhe ofenduese për një numër të madh të qytetarëve, votuesve shqiptarë, të cilët nuk gjejnë asnjë arsye pse duhet ta votojnë ndonjërin nga kandidatët e mundshëm për kryetar shteti; një kandidat i cili nesër duhet ta bëjë betimin para një flamuri dhe himni të cilin nuk e ndjen secili për të vetin; kandidatët që obligohen ta respektojnë kushtetutën dhe ligjet me të cilat qytetarët shqiptarë trajtohen si pakicë kombëtare, për aq më keq, si përqindje, jo si shqiptarë!

Ja, unë ua përkujtoj politikanëve se shumica e qytetarëve shqiptarë në këtë shtet janë më të përgjegjshëm se ata, janë më të pjekur politikisht dhe kombëtarisht se ata, vetëm për një gjë dallohen prej tyre: se qytetarët shqiptarë dinë të votojnë dhe do të votojnë, por këtë obligim qytetar do ta kryejnë pa imponime, të vetëdijshëm se cilin duhet ta votojnë, dhe këtë do ta bëjnë pa pagesë, ndërsa telallët e partive politike dhe kandidatët për kryetar shteti, si kandidati që mund të fitojë, si ata që nuk do të fitojnë në këto zgjedhje, do të paguhen sipas numrit të votave të qytetarëve, pa dallim nga përkatësia kombëtare, fetare apo guhësore e votuesve.

Me asnjë normë ligjore, morale, kombëtare apo fetare, askush nuk ka të drejtë t’u bëjë thirrje qytetarëve në emër të patriotizmit, përderisa qytetarët e kryejnë këtë obligim sipas vullnetit të lirë dhe bindjeve të tyre, pa pagesë, ndërsa ata që paguhen për punët që duhet t’i kryejnë në këtë fushatë, të shiten si mbrojtës të interesave të tyre qytetare dhe kombëtare.

Qytetarët shqiptarë e kanë të qartë se, i vetmi profesion që paguhet para se të kryej ndonjë shërbim të dobishëm në interes të qytetarëve është politika. Pse atëherë të përzihet ky zanat mashtrimi me atdhetarizmin?!

(2 prill 2019)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments